KosovaLive360

11 Dhjetor 2017
Udhëkryqi studentor: Studimi kushton, e punë nuk ka

Studentja 24 vjeçare Rita Rexhepi, nga Ferizaj, e cila studion arkitekturë në kolegjin privat për Biznes dhe Teknologji (UBT), ka vendosur aktualisht që t’i ndërpresë studimet vetëm për të mbledhur para, në mënyrë që t’i mbulojë shpenzimet e studimeve deri në fund.

Mirëpo, pas punësimit si operatore telefonike në një qendër të thirrjeve në Ferizaj, për të cilën ka menduar se do të jetë vetëm një punë e përkohshme ajo sot nuk e di kur do t’u kthehet studimeve.

Së pari, është shumë e vështirë që të gjendet një punë me gjysmë orari për studentë në Kosovë, por edhe pagesat të cilat i marrim në ato raste janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet mujore. Ka raste kur lirohesh nga puna për të ndjekur ligjëratat, por në anën tjetër është dashur që të koordinohem, që një javë të shkoj në ligjërata e javën tjetër jo, sepse përndryshe do ta humbisja punën ose nuk do të paguhesha mjaftueshëm për t’i përballuar shpenzimet mujore”, thekson ajo.

Sipas hulumtueses së RIINVEST, Dita Dobranja në Kosovë mungesën e punëve me orar të pjesshëm për studentë e sheh si problem të madh, sidomos për ata të cilëve iu duhet të punojnë për t’u vetshkolluar.

Në Kosovë nuk ekzistojnë mjaftueshëm punë me orar të pjesshëm, e sidomos punë të cilat kanë orar fleksibil për studentë në veçanti. Te ne përpos që nuk kemi vende pune, edhe ata të cilët punojnë me orar të plotë në sektorin privat në marrëdhënie pune prej 8 orësh, çdo ditë punojnë 10 deri në 12 orë në ditë. E kjo bën që studentët për shkak të mungesës së mundësisë për të punuar me orar të pjesshëm dhe fleksibil, shpeshherë të zgjedhin se a duan të punojnë apo të shkojnë në ligjërata dhe prapë përfundojnë duke mos shkuar në ligjërata”, thekson Dobranja.

Sipas një raporti të Millenium Challenge Coorporation (MCC Kosovo), përqindja e punëmarrësve që punojnë në institucione apo kompani në Kosovë me orar të pjesshëm është 10.5%.

Agjencia e Statistikave e Kosovës pohon se papunësia në nivel vendi për vitin 2016 ishte 27,5%. Kurse, papunësia e të rinjve vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti te gjenerata e re është 50,5 %.

Mirëpo, përpos mungesës së punëve me orar të pjesëshëm, studentët të cilët punojnë me orar të plotë prej 8 orësh çdo ditë punojnë edhe me orar të tejzgjatur nga ai që është i paraparë me ligjin e punës në Kosovë.

Kastriot Q. student i edukatës fizike në njërin nga kolegjet private në Kosovë që disa muaj punon në një kafiteri në Ferizaj dhe ankohet për tejzgjatje të orarit të punës.

“Unë punoj si dhe studioj paralelisht. Është shumë e vështirë që të arrihen të dyja me rezultat të mirë në fund. Unë punoj me orar prej tetë orësh, por shpeshherë ndodh që edhe të tejkalohet ky orar me orë shtesë të punës. E kjo më pengon mua që të jem produktiv dhe i rregullt edhe në ligjërata”, shprehet ai.

Korniza ligjore për rregullimin e tregut të punës në Kosovë parasheh që për punë me orar prej 8 orësh dhe ato me orar të pjesshëm, të ekzistojë kontrata e punës. Kurse, për orarin e tejzgjatur parashihet që të punohet vetëm në rastet e rritjes së vëllimit të punëve dhe në raste të domosdoshme me kërkesë të punëdhënësit, punëtori mund të punojë më gjatë se orari i plotë i punës më së shumti 8 orë në javë. Kurse, të punësuarve me orar të pjesshëm nuk u lejohet të punojnë më gjatë sesa orari i plotë i punës.

Problemin me të cilin sot ballafaqohen studentët, vite më parë, në kohën kur ishte vetë student, e kishte pasur edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu. Pikërisht për këtë arsye, thotë se ishte detyruar që të udhëtojë drejt Kroacisë për të studiuar.

Është interesant që arsyeja që unë kam vendosur të studioj në Kroaci si student ka qenë mu ajo për të cilën po flasim ne tani, që të gjej mundësi të punoj dhe ta financoj shkollimin tim. Njësoj sikur unë që e kam pasur një fat të tillë, kam dëshirë që edhe studentët në Kosovë ta kenë të njëjtin fat. Mirëpo, për fat të keq ne në Kosovë jemi duke prodhuar agjendë politike më shumë se sa ekonomike. Tani është koha që të kemi një trajtim më dinjitoz sa u përket studentëve, sepse nuk e kanë të gjithë komoditetin e studimit të qetë, por shumica kanë sfida dhe vështirësi falë krizës ekonomike që dominon në Kosovë”, shprehet Gërxhaliu.

Ajo çka Gërxhaliu sheh si më shqetësuese në Kosovë është se kemi mungesë të informacioneve sa i përket papunësisë.

„Sipas të dhënave të Bankës Botërore aktualisht papunësia në Kosovë është 35%, sipas raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar është afër 40%, kurse nëse shohim raportet e institucioneve të Kosovës e shohim se është afër 43%. Në Kosovë ka më shumë informalitet se sa ka papunësi“, shpjegon Gërxhaliu.

Oda Ekonomike e Kosovës OEK pohon se çdo vit Kosovës si fuqi punëtore i shtohen prej 30.000 deri në 35.000 persona, ndërkohë që rritja ekonomike në vit është 4%. E kjo gjë, sipas OEK-ut është një shifër shqetësuese, pasi që Kosova nuk ka kapacitet që t’i absorbojë dhe të krijojë vende të reja të punës për një numër kaq të madh të punëtorëve çdo vit.

Papunësinë e lartë, si dhe mungesën e punëve me gjysmë orari për studentë problematike e sheh edhe Visar Hapçiu nga Oda Amerikane e Kosovës.

“Shkalla e papunësië është shqetësuese, por gjendja më alarmante është te të rinjtë. Sa i përket kësaj teme, mendojmë se edhe institucionet arsimore luajnë një rol të rëndësishëm, duke krijuar bashkëpunim me kompani të sektorit privat për t’u mundësuar studentëve të gjejnë angazhim me gjysmë orari, edhe për të krijuar përvojë të vyeshme, por pse jo edhe të financojnë të paktën pjesërisht studimet e tyre,” thekson Hapçiu.

Iniciativat e Odës Amerikane të Kosovës si mënyrë për të ndërlidhur studentët dhe të diplomuarit me sektorin privat nuk kanë munguar. Ata për vite më radhë kanë organizuar Panairin e Punës ku janë ofruar edhe mundësi punësimi me orar të plotë dhe të pjesshëm. Por, siç thotë Hapçiu, kjo nuk e ul mungesën dhe nevojën e punëve me gjysmë orari të mijëra studentëve në Kosovë për t’u vetëfinancuar.

Vjosa Çerkini

 

Të Rekomanduara