KosovaLive360

2 Maj 2016
Të rinjtë në hullitë e astronomisë dhe fshehtësive të kozmosit

Klubi i Astronomëve Amatorë të Kosovës (Astronomy Club of Kosova – ACK)  është shoqata e parë në rajon për përhapjen e dijes së astronomisë dhe dukurive apo fshehtësive shkencore të kozmosit. ACK është themeluar më 20 mars 2014 nga Suhel Ahmeti, Nurtene Gavazi, Arbër Halili dhe Hava Jahaj.

Përderisa klubet e tilla në botë udhëhiqen nga persona më të moshuar, e veçanta e këtij grupi është se menaxhohet nga të rinjtë, të cilët kanë hyrë në hullitë e astronomisë dhe fshehtësive shkencore të kozmosit.

Sipas kryetarit të klubit, Suhel Ahmeti, të gjitha pajisjet e astronomisë janë të aktivistëve të klubit dhe të huazuara nga profesorët e tyre. Ahmeti ka thënë për KosovaLive që përkrahjen më të madhe sa i përket mjeteve dhe përvojës e kanë nga astronomët e huaj.

“Klubi ynë këtë vit do të pranoj disa donacione nga astronomë ndërkombëtarë ndër ta janë: dy teleskopë (me nënshkrime nga astronomë nga NASA) dhe materiale edukativo-arsimore nga miku ynë nga Belgjika, Jean Pierre Grootaerd prej ‘Stars Shine for Everyone’”, ka shtuar Ahmeti.

Organizata ndërkombëtare astronomike “Astronomers Without Borders” do të lansojnë një fushatë për të mbledhur fonde për klubin tonë për të na siguruar pajisje të ndryshme të astronomisë, si libra, magazina, syze solare, teleskop të ndryshëm, etj. Këto mjete do t’i përdorim gjatë aktiviteteve tona. Ndërsa, “Rainbow Symphony” do të dhurojë edhe disa pajisje tjera si spektro-skopa dhe aparatura të cilat mundësojnë të shohim pjesën spektrale të dritës së diellit”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se së fundmi kanë pranuar një fond simbolik “Forumi për Iniciativa Qytetare” për të manifestuar përvjetorin e dytë të klubit, si dhe kanë marrë mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

“Varësisht prej kushteve atmosferike ne organizojmë: Star-Party (Ndejë Yjore), vrojtime publike, seminare të ndryshme astronomike, në kampe astronomike, evente solare, trajnime dhe debate për astronomi, ndjekim evenimente të rralla astronomike si (Eklipsi i Diellit, vëzhgimin e kometave, lëvizjen dhe tranzitin e planetëve) dhe marrim pjesë në festivale të astronomisë”, ka shtuar ai.

Ky klub për nder të “Global Astronomy Month”, ka organizuar për herë të parë në Kosovë një sesion të hapur dhe punëtori në Këndin Amerikan rreth kulturës amerikane në astronomi, si dhe kontributin e tyre në shkencë, ku ligjëruan përfaqësuesit e ACK-së, Suhel Ahmeti, Muhamed Zeqiri dhe Shpresa Mehmeti, si dhe meteorologu Sabit Gashi.

Po ashtu, përfaqësuesit e këtij klubi kanë marrë pjesë në garën NASA Space Apps Challenge, në kategorinë e “Solar System Exploration”, ku ata prezantuan një risi të dedikuar posaçërisht për edukimin e fëmijëve rreth astronomisë.

Klubi i Astronomëve të Kosovës 1

“NASA Space Apps Challenge, ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ishte shumë ndryshe nga aktivitetet e natyrës së ngjashme dhe puna grupore ishte e madhe. Ekipi ynë me projektin ‘Book it to the Moon’, dha frytin e duhur për publikun, në të cilin shumë dashamirë të astronomisë do të përfitojnë nga përmbajtja dhe ofrimi i aplikacionit tonë”, ka thënë për KosovaLive Shpresa Mehmeti.

Sipas Muhamed Zeqirit është privilegj dhe sfidë për reflektimin e ideve pjesëmarrja në gara të tilla ndërkombëtare.

“Para fillimit të kësaj sfide synimin e kisha vetëm në arritjen e kompletimit të një përvoje të re inovative jashtëshkollore, por rezultatet ishin më se mbresëlënëse. Pra, gjithçka doli si më së miri dhe në të ardhmen shpresoj që sa më shumë të jem pjesë e aktiviteteve të tilla dhe të kem mundësi të jap kontribut në sfera të ndryshme të jetës”, ka shtuar ai.

ACK është organizatë që ka për qëllim ngritjen, popullarizimin, promovimin dhe shpërndarjen e shkencës dhe astronomisë tek të rinjtë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Për më shumë informacione për aktivitetet e këtij grupi në linkun: https://www.facebook.com/AstronomyClubKosova/?fref=ts

/Teuta Berisha – Vajzat ngrisin zërin/

logo e vajzat ngrisin zerin

Të Rekomanduara