KosovaLive360

Plot 15 vite nga pas lufta, ish presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte e para që ndërmori diçka për ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në vitin 2014 ajo themeloi Këshillin për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës dhe tani ato gra janë të përfshira në Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktima të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, si një kategori e veçantë, e të cilat tani do të përfitojnë edhe kompensim (pension) prej 230 euro në muaj.

Kjo shumë e parave, në seancat parlamentare u kritikua nga shefi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili e konsideroi “tejet të vogël”.

Ai për KosovaLive ka thënë se me gjithë premtimet që ka dhënë Qeveria, shuma e paraparë në projektbuxhetin e vitit 2018 është simbolike.

“Është vetëm 1 milion euro. Sigurisht se procesi i identifikimit të viktimave të luftës është shumë më kompleks”, ka thënë Hoti.

Kjo shumë e kompensimit, nuk është se u pëlqeu shumë as organizatës joqeveritare “Medica Gjakova” e cila merret me përmirësimin e shëndetin mendor dhe atij fizik të grave të mbijetuara nga dhuna seksuale.

Ata kanë kërkuar që vlera e kompensimit të jetë së paku 250 euro në muaj, por pasi që kjo kërkesë nuk u realizua dhe tani nuk kanë më zgjidhje tjetër, sipas tyre edhe shuma prej 230 euro duhet pranuar.

Sociologia Fitore Shala, konsideron se edhe pas gjithë këtyre viteve, gra e burra viktima të dhunës seksuale, ende nuk kanë marrë trajtimin e duhur dhe nuk janë trajtuar në mënyrë të duhur nga shoqëria dhe familja e tyre.

Por, sipas saj, është sukses që këto viktima tani do të kenë edhe një pagesë mujore për nevojat e tyre.

“Unë mendoj se ende tani, pas disa viteve të përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ne nuk kemi mundur të largojmë stereotipet që i kemi si shoqëri për viktimat e dhunës seksuale. Shumica nga viktimat nuk kanë mundur të shprehin atë se çka kanë përjetuar dhe nuk kanë dalur hapur në shoqëri”, thotë Shala.

Ajo konsideron se shoqëria i ka dyfishuar vuajtjet kësaj kategorie duke i paragjykuar dhe duke mos i mbështetur ato.

“Janë paragjykuar nga familja, rrethi i gjerë, nga shoqëria dhe këto sjellje e fjalë kanë bërë që ato të mbyllen në vete dhe të gjithë vuajtjen e tyre ta mbajnë brenda vetes”, shton Shala.

Për “Medica Gjakova”, sa i përket pensionit, problem shfaqet diçka tjetër. Në rast se ndonjë grua gëzon pension të pleqërisë apo ka vajzën/djalin dëshmor, ajo është e detyruar të zgjedh se cilin pension dëshiron ta mbajë: pensionin si e mbijetuar e dhunës seksuale, apo ndonjërin nga pensionet tjera.

“Duke ditur stigmën dhe lidhjet e forta familjare shumica nga ato do hiqnin dorë nga kjo e drejtë e tyre personale për kompensim. Kjo është shumë e dhimbshme pas gjithë këtij procesi të gjatë dhe të mundimshëm”, thotë Mirlinda Sada, drejtoreshë ekzekutive në “Medica Gjakova”.

Ajo tregon se një numër relativisht i madh i grave janë gati dhe janë të gatshme të aplikojnë që nga fillimi i punës se komisionit.

Sada konsideron se edhe pse kanë kaluar plot 18 vite nga lufta, një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare ende vuan nga pasojat afatgjate postraumatike të përjetuara.

“Edhe sot të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës janë të diskriminuara nga shoqëria dhe fajësohen për fatin e tyre. Ende te ne si shoqëri të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk shihen si viktima por si fajtore”, thotë ajo.

Sada tregon se kjo është arsyeja se pse të mbijetuarat hezitojnë të flasin për përvojat e tyre traumatike ose të kërkojnë të drejtat e tyre për riintegrim në shoqëri, pasi frikësohen nga izolimi nga shoqëria dhe nga dënimet e familjes.

Numri i personave që trajtohen me shërbime multidisciplinare dhe të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në këtë organizatë është mbi 300 gra nga vise të ndryshme të Kosovës. Sada tregon se ky numër është duke u rritur çdo ditë, pasi që tani “Medica Gjakova” ka filluar të mbulojë edhe pjesë të tjera të Kosovës.

Aty, të mbijetuarat marrin këshillime psikosociale qoftë në mënyrë grupore apo individuale, këshillime për shëndetin gjinekologjik, vizita/kontrolla, fuqizim ekonomik, avokim dhe lobim që synojnë sensibilizimin e shoqërisë dhe Qeverisë për situatën e rëndë të grave të mbijetuara.

Sada potencon se në bazë të gjithë kësaj,  “Medica Gjakova” ka arritur të përmirësojë gjendjen e shëndetit mental dhe fizik të grave të mbijetuara, të ndikojë politikën sociale për mbështetjen e mirëqenies së grave/vajzave si dhe të kapërcejë sigmatizimin e madh shoqëror e të thyejë edhe tabutë.

“Një ndryshim i vogël vërehet te gratë e mbijetuara të cilat kanë marrë shërbime të rregullta nga organizata, ato janë më të fuqizuara dhe më të integruara në shoqëri dhe në familjet e tyre”, thotë Sada.

Anëtaret e kësaj organizate kanë status të ndryshëm në familje. Disa nga to sot janë kryefamiljare, jetojnë në familjet e prindërve apo jetojnë me familjen e tyre të ngushtë, por ka edhe gra të cilat pas ngjarjes traumatike (përdhunimit), janë dëbuar nga shtëpia dhe tani kanë krijuar jetën vetëm ose me fëmijët e tyre të cilët gjatë luftës kanë qenë të vegjël.

Sipas Sadës, problemi kryesor i këtyre familjeve është stigma.

“Një numër i madh i grave u thonë familjarëve që ‘po shkojmë në shoqatë për të marrë shërbime për shkak të përjetimit të luftës dhe traumave të tjera, ose për shkak se nuk ndihen mirë dhe kanë nevojë për vizita gjinekologjike, apo edhe për trajnime për fuqizim ekonomik”, vijon ajo.

Por ka edhe gra të cilat familja e tyre janë në dijeni se çfarë kanë përjetuar ato dhe i përkrahin, por është një numër shumë i vogël. Ka edhe gra të cilat vet bashkëshortët e tyre i përkrahin dhe i sjellin për trajtim dhe ato janë dukshëm më të fuqizuara se sa pjesa tjetër që nuk janë aq fatlume.

“Në përgjithësi të gjitha gratë anëtare të organizatës nuk kanë problem në familje pse vijnë për trajtim, edhe pse kjo arsyetohet në forma të ndryshme. Stafi i ‘Medica Gjakova’, paraprakisht kontakton me familjarët e grave kur ka pasur nevojë dhe ka marrë miratimin prej tyre në raste të caktuara”, thotë Sada, duke shtuar se numri i madh i grave të cilat trajtohen dhe shpalosen në shoqatë, kur kthehen tek familjet e tyre, përsëri nuk kanë guxim të shprehen për atë se çfarë iu ka ndodhur.

Sada shprehet se nevoja për përmirësimin e ligjit për beneficione të tjera për këtë kategori është më se e nevojshme, e sidomos që shërbimet shëndetësore të jenë falas për të tri nivelet.

Sociologia Shala, mendon se gjendjen e tyre do ta rregullonte sadopak, nëse të gjithë ne i pranojmë këto viktima si pjesë e shoqërisë sonë, ju ndihmojmë ta marrin trajtimin e duhur dhe të mos mendojmë apo sillemi në atë mënyrë që t’i bëjë ato të ndalojnë të flasin për atë se çka kanë përjetuar. T’iu krijojmë atyre një jetë më të mirë duke iu ofruar mbështetjen tonë maksimale.

Kurse Sada nga “Medica Gjakova”, shton se ato gjithashtu duhet të ndihmohen në fuqizimin ekonomik nëpërmjet programeve të ndryshme, e po ashtu, siç posedojnë fëmijët e kategorisë së veteranëve apo dëshmorëve, të kenë edhe lehtësira për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Njomza Berisha

Të Rekomanduara