KosovaLive360

Rrahim Kurteshin, 64 vjeç nga Fushë Kosova, çdo ditë mundeni me gjetë afër kontejnerëve në Prishtinë. Ai e siguron mbijetesën duke grumbulluar skrap (materiale të riciklueshme).  Për Kurteshin nuk ka rëndësi se çfarë temperatura janë apo se sa është e rrezikshme për shëndetin puna që e bën, sepse sipas tij, ushqimin duhet ta sigurojë në ndonjë formë.

Në kontinjera, Kurteshi grumbullon lëndën e parë, kryesisht kanaqe, qese plastike, nganjëherë hekur… pastaj këto i dorëzon tek disa kompani private qe i klasifikojnë dhe pastaj e eksportojnë si skrap.

“Qysh kur kam qenë fëmijë nëpër kontejnera mbledhi mbeturina. Kushtet në familje i kam pasë shumë të rënda, dhe si i vogël kam dalë me mbledh, e tash më ka mbetë kjo punë sepse nuk kam gjetë kurrë diçka që të punojë më ndryshe.  Zakonisht çdo ditë i mbushi nga 2-3 thasë edhe i fitoj maksimumi deri në 7 euro. Me këtë pare blej ushqim për çdo ditë, do sende elementare që nuk mundemi me jetu pa ato”, thotë Kurteshi.

Ai tregon se punon individualisht dhe nuk ka ndonjë marrëveshje me kompanitë private që mirren me grumbullimin e skrapit.

Muhameti dhe Muharremi, vëllezër binjakë 13 vjeç, vijnë çdo ditë nga Fushë Kosova në Prishtinë për të grumbulluar skrap. Të dy thonë se në shkollë nuk kanë shkuar fare sepse në familje i kanë kushtet e rënda ekonomike dhe nuk punon askush, por këta të dy me mbledhjen dhe shitjen e skrapit mundohen që t’ ju ndihmojnë sado pak.

“Kur i kemi pasë nga 7 vjet kemi dalë me grumbullu mbeturina nëpër kontejnera. Dalim kështu çdo ditë, nganjëherë vijmë këmbë prej Fushë Kosoves e nganjëherë kur kemi pare vijmë me autobus. Dalim në mëngjes herët dhe deri në mbrëmje mbledhim, pastaj i dërgojmë në disa kompani ku i shesim. Ato pare që i marrim ia dërgojmë babit në shtëpi dhe ai e blen ushqimin me to”, pohon Muhameti.

Sipas Abaz Xhigollit, drejtor i Qendrës për Punë Sociale 281 familje nga komuniteti ashkali marrin ndihma sociale, 53 nga komuniteti rom dhe 37 nga ai egjiptias.

Ahmet Jashari, një tjetër mbledhës i skrapit rrëfen se del çdo ditë për të grumbulluar materiale të përpunueshme dhe tregon se ka një multikultivator që i ndihmon shumë për të bartur skrapin nga një vend në vendin tjetër, madje edhe mund të vizitoj shumë lagje të Prishtinës brenda ditës për të grumbulluar sa më shumë. Siç rrëfen Jashari, së pari e grumbullon skrapin në multikultivatorin e tij pastaj i dërgon në shtëpi dhe e bën klasifikimin e tyre pastaj në fund të javës i dërgon në ndonjë nga kompanitë private.

“Dal çdo ditë me mbledh bërllok, i mbushi thasët dhe i dërgoj në shtëpi, aty i ndaj kanaqet veç, qeset e plastikës veç, hekurin (që rrallë gjejmë) veç, shishet e plastikës veç. Pasi i ndaj, i mbushi thasët dhe i dërgoj në kompaninë më të afërt që e kam për t’i shitur në fund të javës dhe për një javë nga grumbullimi i skrapit fitoj dikund rreth 35-40 euro. Me këto pare jetojmë,” rrëfen Jashari.

Mbledhësit individual skrapin e shesin me çmime minimale tek pikat grumbulluese. Ata një kilogram plastikë e shesin 0.13 euro, hekurin 0.14 euro, najlonin 0.15 euro ndërsa kanaçet 0.35 euro. Mirëpo, pikat grumbulluese të mbeturinave nuk pranuan të përgjigjen se sa fitojnë për një kilogram material të reciklueshëm.

Referuar hulumtimit të kryer nga Preportr me emrin “Sot punon sot han”, kompania që eksporton më së shumti skrap jashtë vendit është kompania “Nderimi sh.p.k”, e cila prej vitit 2010 deri tani ka eksportuar 116,196,917.00 kilogramë skrap në vlerë prej  21,821,528.00 euro. Sasi të madhe eksportojnë edhe kompanitë si “Metal-Mix”, “Euro-Steel”, “Euro Abi”, etj.

Në vendet e rajonit përgjithësisht materialet e reciklueshme shiten me çmime të përafërta. Si ilustrim, gjatë viteve 2010-2015 1 kg plastikë në Maqedoni eksportohej me çmim mesatar 0.29 euro, në Serbi 0.28 euro dhe në Malin e Zi 0.33 euro. Me çmimin më të lirë plastika eksportohet në Shqipëri me çmim mesatar 0.13 euro për kilogram.

Por në vendet e tjera plastika eksportohet me çmim shumë më të lartë. Në Zvicër, 1 kg plastikë është eksportuar me vlerë prej 6.00 euro dhe në Suedi 3.30 euro.

Këto kompani u kontaktuan edhe nga KosovaLive por nuk pranuan të përgjigjen duke hezituar komunikimin me telefon, e-mail dhe çfarëdo komunikimi tjetër.

Sipas Adriatik Stavilecit, zyrtar për media në Doganën e Kosovës,  vetëm vjet janë eksportuar mbi 67,8 milionë kilogramë skrap në vlerë mbi 11 milionë euro, kurse gjatë gjashtë mujorit të këtij viti janë eksportuar 61 milionë kilogramë skrap me vlerë 11.5 milionë euro.

Vetëm gjatë viteve 2016 dhe 2017 nga Kosova u eksportua skrap në vlerë totale mbi 22 milionë euro.  Vendet ku kryesisht eksportohet skrapi janë Shqipëria dhe Maqedonia.

Besarta Breznica

Të Rekomanduara