KosovaLive360

Në një hulumtim të Institutit D4D (Democracy for Development), më shumë se gjysma e kosovareve të anketuara pajtohen se gratë përballen me diskriminim në procesin e punësimit.

Nga to, 43% theksojnë shoqërinë patriarkale dhe 26% pushimin e lehonisë si arsye kryesore për diskriminimin e tyre. I njëjti hulumtim nxjerr përfundimin se niveli i ulët i arsimimit (31.5%) dhe mungesa e trajnimeve të duhura për të gjetur punë (30.3%) dalin si pengesë për punësimin e grave. Më shumë se 53.2% të të anketuarve theksojnë se arsye kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është se ato kanë përgjegjësi që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në familje, derisa 30% e theksojnë mungesën e mundësive të punësimit si arsye për përjashtimin e grave.

Rrjedhimisht, vetëm 12.9% e grave në moshë pune në Kosovë të jenë të punësuara.

Një hulumtim i Institutit Riinvest nga viti 2017 për gratë në tregun e punës, kishte treguar se 54 përqind e grave të anketuara punojnë në sektorin privat, 41 përqind në sektorin publik, 2 përqind ishin të vetëpunësuara dhe punonin në organizata joqeveritare dhe 1 përqind punojnë në organizata ndërkombëtare.

Një formë e vetëpunësimit që i anashkalon barrierat e lartpërmendura, u është ofruar grave kosovare të komuniteteve të ndryshme, nga projekti “Sa-Punë” i implementuar nga organizata joqeveritare “The Ideas Partnership”.

Në këtë projekt janë të angazhuara gjashtëmbëdhjetë gra të komuniteteve rom, ashkali, egjiptas (RAE) dhe shqiptarë nga Fushë Kosova dhe Janjeva. Ato përmes kreativitetit dhe punimit me dorë të kartolinave, sapunëve, çantave të lavandës, çantave të mëdha e kuletave, sigurojnë të ardhura për t’i shkolluar fëmijët e tyre, dhe u sigurojnë atyre një jetë të qëndrueshme.

Koordinatorja e projektit “SaPunë”, Agnesa Ferati tregon se vetëpunësimi ishte vetëm një nga synimet e këtij projekti.

“Ideja kryesore e projektit është që gratë që punojnë tek ne duhet medoemos t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë”, thotë Ferati.

Hateme Gashi nga Fushë Kosova, nënë e gjashtë fëmijëve është një nga gratë e angazhuara në këtë projekt. Ajo, pa bashkëshortin e ndjerë dhe me vetëm 75 euro asistencë sociale në muaj, nuk ka mundur t’i plotësojë kërkesat e fëmijëve.

“Fëmija kërkojnë prej meje. Edhe siç thonë, unë vetë grua, vetë burrë, vetë jam. E prej meje lypin ata ushqim, e me pi, e me një social çka me bo? E aty i punoj, aty i shes, e u blej fëmijëve ushqime”, thotë Hatemja.

Dëshira e saj ka qenë të punojë, për të siguruar ushqim për familjen dhe për t’ua siguruar shkollimin fëmijëve.

Qëllim të ngjashëm ka pasur edhe Zet’hane Gashi nga Janjeva. Ajo me të qenit e vetëpunësuar thotë se është më e pavarur kur bëhet fjalë për shpenzimet e përditshme ose për nevojat familjare.

“Së pari nuk kërkoj prej burrit a po më jep para me shku dikund, në ndonjë festë a diçka tjetër. I kam tre fëmijë. Të tretë janë në shkollë. Ata kërkojnë, duhet me ju dhënë.”

Zet’hanja ka tre fëmijë dhe gati tërë fitimin mujor e investon në ta. Këtu përfshirë 30 euro në muaj transport për në shkollë për secilin dhe nga 1 euro për ushqim në ditë.

Gratë nga Fushë Kosova merren me punimin e sapunëve, ato nga Janjeva i punojnë kartolinat me figura argjendi, çantat e lavandës, çantat e mëdha dhe kuletat.

Puna e dorës dhe prodhimi janë të kushtueshëm. Një copëz argjendi që nevojitet për kartolina kushton 1 Euro e 40 cent e në muaj gratë i prodhojnë afro 100 të tilla. Për prodhimin e sapunëve është i nevojshëm vaj ulliri i cili po ashtu është i shtrenjtë.

Mesatarisht në muaj, këto 16 gra marrin rreth 100 porosi për secilin nga produktet, përpos sapunëve, kurse vetëm nga shitja e kartolinave me copëza argjendi, gratë arrijnë të fitojnë nga 60 euro secila.

Të hollat e fituara ndahen në pjesë të barabarta, me atë që një pjesë i mbetet organizatës “The Ideas Partnership”, të cilët e marrin përsipër sigurimin e lëndës së parë.

Produktet e grave ekspozohen edhe në faqen e tyre “Sa-Punë” në Facebook, ku edhe mund të porositen.

Porositë më të mëdha bëhen zakonisht në prag të festave të fundvitit. Në dhjetor të vitit të kaluar një kompani angleze bëri porosinë më të madhe që nga fillimi i punës: u porositën rreth 3900 çanta të mëdha. Për të prodhuar këtë numër çantash u desh një përkushtim i madh i grave që punuan deri në orët e hershme të mëngjesit për ta kryer porosinë brenda afatit.

“Kur kemi pasë shumë porosi, veç mos me leju’ që me na marrë tjetër kush projektin, ka ndodhë që kemi qëndru’ deri në dy e tre të natës. Unë për vete ka ndodhë qe kam kërku’ ndihmë edhe te ndokush tjetër, me m’ndihmu, veç mos me ja lënë dikujt tjetër projektin. Pra, punës nuk i thojmë jo. Çka na kanë porositë krejt i kemi kry’.” thotë Zet’hanja.

Në situatën aktuale të një ekonomie jo gjithaq funksionale në Kosovë, me një shkallë të lartë të papunësisë, e në rend të parë të grave, ideja pas projektit që i përfshiu këto 16 gra s’ka si të mos përshëndetet.

Në mungesë të vendeve të punës, statistikat flasin për gjithnjë e më shumë forma alternative të punësimit e në veçanti ato të vetëpunësimit.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, vetëm në vitin 2017, në forma të ndryshme, janë vetëpunësuar gjithsej 44.123 kosovarë.

Rina Kryeziu

Të Rekomanduara