KosovaLive360

Në një ankete jopretenzioce të KosovaLive me mostrën prej 300 vetash, kryesisht të rinj, 72% e respodentëve shprehen se komuniteti rom “paraqet pengesë për ta në vendet e mbyllura, sidomos në kafene dhe në mjetet e udhëtimit”, kurse kur bëhet fjalë për martesat, 80% thonë se nuk do ta kishin problem nëse ekziston ndonjë lidhje dashurie në mes shqiptarëve dhe këtij komuniteti.

Komunitetet dhe shumica shqiptare kanë kontakte të ndërsjella, por këto kontakte nuk janë shumë personale dhe janë jo të rregullta, ka dalë si përfundim nga hulumtimi i organizatës joqeveritare Rise Your Hand for Help “Paragjykimet e ndërsjella mes shqiptarëve dhe komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptias”, Nga hulumtimi shihet se kontaktet shumë personale, siҫ janë vizitat e ndërsjella si mysafirë tek shtëpia e ndonjë pjesëtari të komuniteteve nga ana e ndonjë pjesëtari të nacionalitetit shqiptar dhe anasjelltas, vazhdojnë të mbeten tabu.

A.J 20 vjeç, i cili jeton në një shtëpi të vogël, me pak shtretër dhe me gjësendet e çrregulluara në dhomë, në Fushë Kosovë, rrëfen se si vet i kishte përjetuar paragjykimet nga nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë në shkollë. Rrjedhimisht, ai pohon se kjo ishte edhe një nga arsyet që ai ndërpreu shkollimin dhe se sot, për faktin që i përket komunitetit rom, po e ka të vështirë edhe të gjejë ndonjë punë.

“Kur kam filluar të shkoj në shkollë, mësuesi dhe shokët e shoqet e shkollës më shikonin më ndryshe. Ato shikime më vinin në siklet. Ata nuk pranonin të shoqëroheshin me mua sepse, sipas tyre, unë kisha një llojë arome jo të këndshme. Ndonëse këtë nuk e thonin, e vëreja saherë që afrohesha tek ata, vëreja se si i mbulonin hundët me dorë apo xhamper”, tregon ai.

Që nga kjo ditë, A.J thotë se nuk kishte pasur motiv që të shkojë në shkollë dhe kishte vendosur të qëndrojë në shtëpi. Por, posa kishte filluar të dalë në Fushë Kosovë dhe në Prishtinë, thotë se kishte parë që njerëzit po e shihnin më ndryshe, në autobus, në taksi dhe në kafe. Në fillim ishte ndier shumë keq madje, siç tregon, edhe kishte qajtur për këtë, por tani tregon se është mësuar me këto gjëra dhe nuk i duken si diçka e madhe.

Asistenti i zëvendës ministrit tek Ministria për Komunitete dhe Kthim, Jeton Jashari, pohon se edhe vet ishte paragjykuar në autobus por edhe në taksi dhe restorante, duke iu ndaluar hyrja me pretekstin se “nuk ka vende të lira, janë të rezervuara”, edhe pse i gjithë lokali kishte qenë i zbrazët.

Sipas Jasharit, komuniteti të cilit i përket, paragjykohet edhe nga mjekët dhe në universitete.

“Sa i përket martesave, unë kam dhëndërr shqiptar dhe kjo nuk paraqet ndonjë problem për ne, por në kohët e fundit nuk kam dëgjuar që ka ndodhur ndonjë martesë në mes komunitetit rom dhe shqiptarëve. Gjithashtu nuk ka ndodhur që ndonjë vajzë shqiptare të martohet me ndonjë djalë nga komuniteti rom”, thotë Jashari.

Drejtoresha e OJQ-së Rise Your Hand for Help, Lorenta Kadriu pohon se komuniteti rom në të shumtën e rasteve paragjykohet për shkak të mënyrës së jetesës, të cilën jo me dëshirë e jetojnë. Në mesin e paragjykimeve të krijuara menjëherë pas periudhës së luftës, gjithsesi është edhe pamja e jashtme që, sipas saj, ka një ndikim në mënyrën e të gjykuarit tek populli kosovar.

“Më së shumti ku shihen të paragjykuar pjesëtarët e komunitetit rom është në sektorin e arsimit dhe punësimit, ku ende vërehet segregimi në shkolla si dhe diskriminimi i madh në vende të ndryshme të punës”, thotë Kadriu.

Besarta Breznica

Të Rekomanduara