KosovaLive360

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Bullgaria ka thënë se në Samitin e Sofjes është konfirmuar perspektiva evropiane e tërë Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi ka thënë se samiti në diskutimet konkrete ka qenë i përqendruar në temën e ndërlidhjes në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, si dhe në temën e sfidave të sigurisë, si terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni ilegal.

“Tema e konektivitetit është zgjeruar të përshijë jo vetëm rrugët e hekurudhat, por edhe infrastrukturën digjitale, në sektorin e energjisë dhe në atë të arsimit. Në fushën digjitale është folur për shtimin e bashkëpunimit në sektorin e teknologjisë, përfshirë edhe çështjet si ulja e tarifave për roming, e-qeverisje, e-prokurim apo digjitalizim të industrive. Në sektorin e arsimit është vendosur që të dyfishohen fondet për rajonin për programin ERASMUS-Plus. Liderët e shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar Deklaratën e Sofjes e pas të cilës janë rreshtuar edhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit ishte historike.

“Është hera e parë që Kosova merr pjesë në një samit të këtij niveli si shtet, e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një fitore e madhe diplomatike për Kosovën dhe për të gjitha shtetet anëtare të BE-së që e njohin Kosovën. I jemi mirënjohës nikoqirit, personalisht kryeministrit Borisov të Bullgarisë, por edhe liderëve të shteteve anëtare të BE-së, liderëve të institucioneve të BE-së, që bënë të qartë se Kosova duhet të marrë pjesë si e barabartë me shtetet e tjera. Kosova është përfaqësuar denjësisht dhe ka pasur mundësi që të prezantojë rezultate pozitive, konkrete, në të gjitha fushat e diskutuara. Mbi të gjitha, u bë e qartë se përkundër sfidave, përkundër shkatërrimit që ka pësuar Kosova nga lufta, ka arritur të marrë veten shpejt si shtet dhe sot është afër ta zë hapin me shtetet e tjera të rajonit në rrugën drejt BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në margjina të samitit, presidenti ka treguar se ka pasur takime bilaterale me liderë të shteteve anëtare të BE-së, si Belgjikë, Danimarkë, Suedi dhe të bisedojë ndaras me kryeministrin e Greqisë, me presidentin e Francës dhe me kancelaren e Gjermanisë.

“Interesimi i sinqertë i kancelares Merkel për Kosovën dhe për rajonin u pa edhe një herë me hapin e saj që të na bëjë bashkë me Presidentin e Serbisë, ku u konfirmua edhe një herë përkushtimi ynë që të fillojmë me fazën finale të dialogut, që do të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët dhe me njohje reciproke mes nesh. Jam takuar pra edhe me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në të gjitha këto takime është theksuar vendosmëria që të lëvizim bashkë drejt integrimit në BE”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se deklarata e Sofjes, e cila është dakorduar në mes të shteteve anëtare të BE-së në konsultim me shtetet e Ballkanit Perëndimor, përmban disa pika të rëndësishme.

“Pika kryesore e deklaratës është Pika 2, e cila thotë qartë se BE-ja riafirmon mbështetjen e paekuivoke për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në pikat tjera bën thirrje për vazhdim të reformave në të gjithë sektorët, si ndërtim të institucioneve demokratike, sundim të ligjit, mbrojtje dhe respektim të të drejtave të njeriut. Pastaj fton për bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Të gjitha këto u elaboruan qartë në aneksin që u quajt Agjenda e Prioriteteve të Sofjes”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes kanë nënshkruar edhe Deklaratën e Përkrahjes për Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor.

Të Rekomanduara