KosovaLive360

21 Prill 2016
Përdorimi i smartphone-ve në Kosovë

Që nga zbulimi i parë i telefonit nga Alexander Graham Bell më 1876, çdo ditë e më shumë bota po ndikohet nga përdorimi i teknologjisë, e këtij fenomeni nuk po i ik as shteti i Kosovës. Nga një anketë e realizuar nga KosovaLive me 125 persona të komunave të ndryshme të Kosovës dhe të grupmoshave e gjinive të ndryshme, kemi arritur të shohim një rritje në përdorimin e teknologjisë, e sidomos të telefonave mobil. Kjo rritje është shfaqur sidomos pas zbulimit të smartphone-ve apo “telefonave të mençur” në vitin 1993 nga kompania e telekomunikimit BellSouth.

Nga gjithsej 125 të anketuar, 90% prej tyre janë përgjigjur se posedojnë “telefon të mençur”, ndërsa në bazë të rezultateve të grumbulluara, kemi konstatuar se telefoni që përdoret më së shumti është ai i kompanisë Samsung. Ajo që ndikon në zgjedhjen e llojit të caktuar të telefonit doli të jetë sistemi operativ.

mobile_technology

Po ashtu, 38% kanë thënë se në telefon shpenzojnë 2-3 orë në ditë, 28% kanë thënë se shpenzojnë vetëm 1 orë, kurse 14% kanë thënë se shpenzojnë mbi 5 orë në ditë. Ata që e përdorin telefonin më shumë dolën të jenë grupmoshat e reja nga 12-19 vjeç.

Kur u pyetën se për çfarë e përdorin qytetarët më shumë telefonin e tyre, ata u shprehën se më shumë e shohin si mjet për telefonata dhe shkëmbime mesazhesh, gjë që na bën me dije se përkundër faktit që shumica posedojnë telefona të mençur, roli i tyre në shoqëri ende nuk ka ndryshuar. Pasi që telefonat e mençur përdoren më së shumti për të komunikuar, kompanitë prodhuese duhet të mundohen që këtë funksion të telefonave ta bëjnë më të lehtë në përdorim dhe të ofrojnë mundësi të ndryshme për konsumatorët.

Përveç thirrjeve dhe mesazheve, ky lloj i telefonit përdoret për rrjete sociale nga 12% e të anketuarve, ndërsa për fotografi dhe video nga 9%. Rrjeti social ku kosovarët janë më aktivë është ai i Facebook-ut.

Ndërsa një anketë e publikuar nga STIKK (Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës) e bërë në vitin 2013 nuk dallon shumë nga rezultatet tona.

Nga 1050 kosovarë të anketuar, 56.67% janë meshkujt dhe 54.29% janë femra, ndërsa 77.72% të përdoruesve të telefonave të mençur janë nga mosha 10-19 vjeçare.

Këto pajisje tashmë kanë zëvendësuar mjete dhe aparate të ndryshme, duke filluar nga lodrat e fëmijëve e deri tek mësimet “online” ku 60% e prindërve pranuan se fëmijët e tyre janë tashmë të varur nga pajisjet e tyre teknologjike.

Synimi i këtij studimi është që të rrisë vëmendjen e qytetarëve pasi që statistikat tregojnë se përdorimi i teknologjisë është duke u rritur dita ditës dhe ky fenomen është veçanërisht prezent tek të rinjtë. Edhe pse bota e teknologjisë arrin të lehtësojë punën e përditshme të njeriut, nuk është e dobishme që të përdoret kur njeriu nuk e sheh të nevojshme pasi që është shumë e lehtë që ky përdorim të kthehet në varësi.

/Rina Krasniqi –  Vajzat Ngrisin Zërin/

logo e vajzat ngrisin zerin

Të Rekomanduara