KosovaLive360

Në Venedik të Italisë ka nisur punimet edicioni i 16-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës së Bienales së Venedikut ku edhe zyrtarisht Kosova ka hapur Pavijonin e saj “Qyteti është gjithandej”, të kuratores Eliza Hoxha, ndërsa Jehona Shyti, komisionere nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, hapi zyrtarisht Pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018.

Në fjalën e tij të hapjes Gashi ka thënë se prezenca e Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës e artit në botë, siç është Bienalja e Venedikut është tejet e rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë tonë.

“Republika e Kosovës edhe pse një shtet i ri për nga themelimi dhe i vogël për nga sipërfaqja, me prezencën e saj në skenën kulturore e artistike ndërkombëtare në këto vitet e fundit ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në bërjen e diplomacisë kulturore. Duke qenë se Kosova në vazhdimësi ka prodhuar lajme për sukseset e artistëve tanë kudo në botë, kjo ka ndihmuar edhe në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë si dhe në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën”, ka thënë ministri.

Më tutje Gashi falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin për mundësimin hapjes së Pavijonit të Kosovës, posaçërisht Jehona Shytin komisionere dhe kuratoren Eliza Hoxha për ideimin dhe realizimin e Pavijonit të Kosovës.

“Për mua si ministër i Kulturës, ka qenë nder i madh që ndër vendimet e mia të para si Ministër të jetë pikërisht vendimmarrja për pjesëmarrjen e Kosovës në Ekspozitën e 16 të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018, pas një mungese të pakuptimtë në vitin e mëparshëm”, është shprehur ministri Gashi.

“Në kuadër të temës së përgjithshme të Bienales së Venedikut për vitin 2018 “FREESPACE” apo HAPESIRE E LIRE, Eliza ka përzgjedhur që Kosova të prezantohet me rrëfimin për vitet e 90-ta. Një rrëfim ky i cili është shume unik në sensin e mobilizimit dhe mbijetesës kolektive te shqiptareve te Kosovës ne vitet e -90-ta, i cili aq sa është i rëndësishëm të ndahet me të tjerët në kontekstin global”, ka shpjeguar ministri duke shtuar se beson se ka ardhur koha që edhe në kontekstin lokal, për shkak se ne nuk kemi folur, nuk kemi shkruar dhe nuk i kemi memorizuar ende zyrtarisht shume nga ngjarjet dhe temat që e kane ndikuar shtet formimin e Kosovës ndër vite.

“Kjo ka posaçërisht rendësi edhe për gjeneratat e reja qe ta njohin me mire vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi. Jam shumë i lumtur që përveç se rrëfimi ynë para botës në Bienalen e Venedikut jep një pasqyrë të rezistencës sonë kolektive, kjo nismë brenda nesh do ta hap derën edhe për rrëfimet e tjera të këtyre viteve që i kontribuuan shtet ndërtimit të Kosovës”, tha ministri për fund në fjalimin e tij kur edhe e shpalli të hapur Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 25 nëntor.

Të pranishëm në këtë hapje ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ministrja e Mjedisit dhe Plabifikimit Hapsinor, Albena Reshitaj, artistë, arkitekt të shumtë vendorë e ndërkombëtarë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përshëndeti hapjen e Pavijonit të Kosovës, duke e komentuar instalimin e pasqyrave në Pavilionin e Kosovës dhe tha, “Artistja Eliza Hoxha , arriti ta bartë një pafundësi të shpresave dhe të hapësirës, dhe në të njëjtën kohë mundësitë dhe ambiciet që i kemi ne si komb. Kosova po ecë përpara. Kosova nuk është më e kufizuar.” Kjo e fundit i referohej kufizimit të cilin e kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës përgjatë të ’90-tave.

Kuratorja e Pavijonit të Kosovës, Eliza Hoxha theksoi se Pavijoni i Kosovës është një shtëpi e cila përbrendësoi funksionet publike duke e kompensuar qytetin. Ato vite sjellin në pah solidaritetin, mobilizimin dhe aktivizmin e përgjithshëm kolektiv në ëndrrën për Kosovën si hapësirë e lirë.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në fjalimin e tij tha që, “Ne jemi popull kreativ. Ne kemi kaluar luftën dhe kur ta shikosh Kosovën, mezi vërehen dëmet nga e kaluara. Kjo është pasi që kemi një rini dinamike të cilët punojnë, kanë fantazi dhe janë kreative.”

Për më tepër Pavijoni i Kosovës u nderua edhe nga prezenca e presidentit të Bienales së Venedikut, Paolo Barrata.

Të Rekomanduara