KosovaLive360

Mejreme Ademi, një vajzë 14 vjeçare, nxënëse në klasën e tetë në shkollën fillore ”Andon Zako Çajupi”, në Vushtrri, për dallim nga shoqet e saj mban shaminë. Para tri viteve ajo kishte vendosur që të mbulohej, mu sikur nëna dhe motra e saj.

Mejremja thotë se mbajtja e shamisë në shkollë nuk ka ndikuar që të largohen prej saj nxënësit tjerë.

“…Jam shumë mirë në mesin e tyre dhe asnjëherë nuk kam pasur ndonjë problem me asnjërin”, thotë ajo duke shtuar se edhe arsimtarët nuk e dallojnë nga nxënësit e tjerë.

”Ata gjithmonë sillen shumë mirë me mua. Kurrë nuk ka ndodhur me marr notën pa meritë, as më të madhe as më të vogël, njëjtë si të tjerët”, shprehet ajo.

Arsimtari i kësaj shkolle, Ismet Braha tregon momentet e para kur kjo vajza me shami kishte ardhur në shkollë.

”Ne si shkollë menjëherë kemi njoftuar Ministrinë e Arsimit ku kemi treguar për rastin, por për ata nuk ka paraqitur asnjë problem”, thotë Braha.

Në mesin e 28 nxënësve brenda një klase, sipas tij, nuk mund të vërehet ndonjë paragjykim ose neglizhencë për vajzën me mbulesë.

”Asnjëherë nuk kam parë ku një vajzë ose një djalë i klasës që e ka ofenduar ose më mirë të them që e ka gjuajtë me fjalë. Po vlen me përmend që edhe bashkëpunimi i saj me vajzat dhe djemtë e klasës është shumë i madh. Gjithmonë është e gatshme me bashkëpunu me tjerët, është shume e shlirë për të biseduar dhe nuk mund të them që paraqet pengesë shamia që ajo e mban për t’u ‘integruar’ më lehtë ”, thotë Braha.

Ligji për Arsim në Kosovë përcakton shkollimin e detyrueshëm për secilin qytetar deri në moshën 18 vjeçare, ndërkohë që në Kushtetutë, ku Kosova është e përcaktuar si shtet laik, qëndron edhe dispozita se “secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë.”

Deklarata Universale e të drejtave të Njeriut mbron lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, lirinë për të ndryshuar fenë apo besimin si dhe për të manifestuar fenë ose besimin në mësimdhënie, praktikim, vlerësim dhe ushtrim.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri, Shemsi Rrahimi konsideron se respektimi i të drejtës së femrës për t´u mbuluar dhe për t’u shkolluar është një prej standardeve që gjithsesi Kosova duhet ta realizojë nëse synon të hyjë në Bashkimin Evropian.

“Mbulesa nuk është vetëm te feja islame, por në të gjitha fetë qiellore, si te krishterimi dhe feja ortodokse”, thotë Rrahimi.

Mbulimi me shami, sipas tij “nuk është traditë, por një farz”, obligim i fesë muslimane, dhe gjithçka është në baza vullnetare.

Ai rrëfen për rastin e para pesë-gjashtë vitesh në Vushtrri të largimit të vajzës me mbulesë nga shkolla.

”…mirëpo, në bashkëbisedim me ish-drejtorin e Arsimit në Vushtrri, e kemi zgjidhur atë problem dhe për fat të mirë në kohën e fundit nuk ka asnjë rast të tillë”, thotë ai.

Bashkim Hajrizi, sociolog, është i bindur se në këtë kohë “nuk mund t’ia imponon asnjë prind fëmijës së vetë as edhe një veprim krejt të vogël ta bëjë pa dëshirë”.

Ndërkohë që konsideron se “ato nuk janë të detyrurara”, ai thotë se ato rriten në ambientet ku “çdo gjë është me orar sa i përket obligimeve fetare dhe (ato) janë të rrethuara nga të afërmit e tyre – gjyshet, nënat, që i kryejnë këto obligime në kohë.”

Sipas Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, aktualisht në shkollat e mesme në Vushtrri nuk ka asnjë vajzë të mbuluar, ndërkohë që janë katër vajza të mbuluara me shami në shkolla fillore.

Venera Grabanica

 

Të Rekomanduara