KosovaLive360

Një “vrasës” i pavërejtshëm përbrenda qytetitRreth 100 ish-punëtorë të  ndërmarrjes “Sharr Salloniti”, është konstatuar se kanë vdekur si rezultat i punës së tyre në mjediset me praninë e asbestit, dhe shumë ish-punëtorë të tjerë  janë duke i vuajtur pasojat shëndetësore të shkaktuara nga po i njëjti shkaktar.

Në vitin 2001 në këtë ndërmarrje në Han të Elezit, ishte bërë një studim ambiental mbi ndotjen nga asbesti, i financuar nga Agjencia Europiane për Rindërtim, ku ishte regjistruar prania e pluhurit të asbestit në ambientet e fabrikës. Pas këtyre konstatimeve, me vendim të UNMIK-ut ndërmarrja ishte mbyllur dhe që nga viti 2011 ka hyrë në procedurë likuidimi.

Në vitin 2011 këta ish-punëtorë të kësaj ndërmarrje, kishin paraqitur ankesat e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për kompenzim për dëmin shëndetësor të pësuar gjatë kohës kur gjatë punës, të pambrojtur, iu kishin ekspozuar asbestit.

Bujar Gjikolli, radiolog në Klinikën Onkologjike në Prishtinë, thotë se asbesti paraqet rrezik të lartë për arsye se në periudhë afatgjate shkakton sëmundje të pashërueshme, vështirësi në frymëmarrje, e gjithashtu shkakton edhe kancer në mushkëri.

“Asbesti është i paraqitur në formë të grimcave, të cilat ne i marrim me përthithje me ajër dhe ato përfundojnë në pjesët më të ngushta të tubit tonë të frymëmarrjes, dhe përfundojnë në pjesën më të ngushtë ku ato ndalen dhe futen në parenkimën mushkërore, ku shkaktojnë me kohë këtë reaksionin alergjik i cili si rrjedhojë shkakton edhe fibrozë”, potencon ai.

Në këtë klinikë, vetëm në vitin 2017 janë regjistruar 252 raste të kancerit në parenkimën mushkërore, e cila jo rrallë lidhet edhe me ndikimin e dëmshëm të asbestit.

Materialet të cilat përmbajnë asbest janë gypat e ujësjellësve dhe kanalizimeve, pllakat për mbulimin e çative, materiale të tjera për mveshjen e brendshme të shporeteve etj.

Nga ky material po del që më të rrezikuarit janë punëtorët e ndërtimtarisë.

Mbeturinat e patrajtuara me përbërje të asbestit gjenden në përdorim masiv në vend, mirëpo, rreziku që mund të vijë nga ky material u kuptua shumë vonë.

Në një anketë të shkurtër me punëtorë krahu në Prishtinë doli se ndonjëherë kanë punuar me këtë lloj materiali, se janë të informuar se çka është asbesti dhe janë në dijeni për rrezikshmërinë e tij.

Ata tashmë ishin të informuar se ky material është kancerogjen dhe se tani nuk përdoret. Këta punëtorë, madje treguan se aty afër, jo larg qendrës së qytetit, është një deponi e asbestit.

Në një prononcim për KosovaLive radiologu Gjikolli thotë se ekspozimi ndaj asbestit gjithsesi mund të ketë pasoja shëndetësore në afat më të gjatë.

“Mbrojta në vendet të punës, mbrojtja nga materialet të cilat kanë asbest me përdorim të maskave ose me përdorimin e mbrojtëseve të tjera, është e vetmja formë e cila siguron punëtorët që mos të sëmurën. Ndërrimi i shpeshtë i vendit të punës, ajrosja, maskat janë e vetmja formë”, thotë Gjikolli.

Avokati i popullit, Hilmi Jashari tregon për KosovaLive se nuk ka ndonjë veprim, ndonjë strategji me të cilën shteti planifikon të mirret me eliminimin e këtij materiali nga përdorimi i përditshëm, andaj i shqetësuar, ka filluar një hulumtim lidhur me ndotjen e mjedisit nga materialet dhe mbeturinat e patrajtuara me përbërje të asbestit.

“Atëherë kjo na ka detyruar thjesht për me nisë një hulumtim zyrtar për të informu në rend të parë qytetarët e vendit për rrezikun që ky material paraqet, edhe në anën tjetër për të rekomandu Qeverinë dhe institucionet publike për detyrimet që i kanë mbi bazat e këtyre sondazheve që kanë dalë”, tregon ai.

Ai thotë se përdorimi i këtij materiali në nivelin çfarë e kemi sot në Kosovë, e dëmton seriozisht shëndetin dhe e rrezikon mirëqenien e qytetarëve. Njëherësh, thotë se s’duhet harruar se bëhet fjalë për të drejtën në jetë dhe se është obligim dhe detyrë e shtetit të marrë masa për t’i mbrojtur qytetarët e vet.

“Jo më larg se këtu në kryeqender, matanë rrugës një bllok i tërë është i mbular me kësi lloj materialesh që është i dëmshëm për shëndetin e njeriut”, thotë Jashari.

Në mungesë të ndonjë fushate vetëdijësuese rreth pasojave të dëmshme të asbestit vërehet edhe mosnjohuria e qytetarëve rreth kësaj.

Në një anketë jopretencioze të KosovaLive,  64,2% e të anketuarve nuk mund t’i identifikonin materialet të cilat përmbajnë asbest e vetëm 35,8% mund t’i identifikojnë ato.

Gati të gjithë të anketuarit (92,3%) deklaruan se kanë parë kulme të mbuluara me material të asbestit. Shumica e të anketuarve supozojnë se informimi më i madh do t’iu ndihmonte më shumë në identifikimin e materialit të këtij lloji.

Është interesant se 64,2% prej të anketuarve janë në dijeni se ky material është kancerogjen dhe se ka ndikim negativ shëndetësor, ndërkohë që 17% të respondentëve, thonë se njohin persona të cilët kanë punuar me këtë material.

Arbnore Ademi, zëdhënëse në kompanisë “Pastrimi”, thotë se nga përvoja e deritanishme e menaxhimit të mbeturinave, nuk kanë hasur në mbeturina të asbestit, ndërkohë që shton se përgjegjësinë për deponitë e mbeturinave e ka Kompania për Pastrimin e Deponive në Kosovë, KDMK.

Në kuadër të një projekti të Bankës Botërore, nga kjo kompani ishte kërkuar që të merret edhe me mbledhjen e këtyre mbeturinave. Megjithatë,  Albiana Avdija, zyrtare për informim e KDMK-së thotë se kjo kompani deri më tani nuk ka pranuar mbeturina me përbërje të asbestit, meqë këtë e ka të ndaluar me ligj, ndonëse nuk dha sqarime të tjera lidhur me këtë.

Ndërkohë që këto kompani thonë se në punën e tyre nuk kanë hasur në deponi me mbeturina të asbestit, deponi të tilla, mund të gjenden mu në zemër të Prishtinës. Aty shihen materiale të asbestit të të palosura por edhe të shkapërderdhura anembanë, mu aty në zonën afër stacionit të trenit në Prishtinë.  Përkundër përpjekjeve tona, aty pari nuk gjetëm askënd përgjegjës për deponinë.

Edhe kjo, ndoshta ilustron qasjen tonë shoqërore ndaj ndotjes në përgjithësi, dhe në veçanti ndaj këtij materiali të rrezikshëm, përdorimi i të cilit është i ndaluar në shumë vende të botës.

Njomza Berisha

 

Të Rekomanduara