KosovaLive360

Trembëdhjetë gra nga mosha 23 deri mbi 50 vjeç nga fshati Skrome, në komunën e Vushtrrisë, para një kohe kanë përfunduar programin  për shkrim e lexim. Ky program është mundësuar nga organizata joqeveritare “Ato”, e cila që 17 vite merret me fuqizimin e grave, sidomos atyre në viset rurale.

Në mesin aktiviteteve, tash tre vjet, ka përfshirë edhe projektin për tejkalimin e analfabetizmit.

Drejtoresha e OJQ-së ‘’Ato’’, Fikrije Ferizi, në mesin e arsyeve se pse një numër i konsiderueshëm i grave në këtë komunë, moshave të ndryshme, janë të paarsimuara thekson martesat e hershme dhe mospërkrahjen e familjarëve si problem kryesor për braktisjen e mësimit.

Ajo për KosovaLive shpjegon se gjatë një trajnimi me gratë për kyçjen e punëve në bujqësi, kishte vërtetuar se shumica nga ato nuk dinë as të lexojnë e as të shkruajnë.

Pas bisedave me këto gra ajo kishte ardhur në përfundim se kishte nevojë për organizimin e një programi ose trajnimi të shkrim-leximit për këto gra, pëmëtepër meqë edhe vetë ato kishin paraqitur interesim të jashtëzakonshëm për këtë ide.

Në fillim, sipas Ferizit në disa raste kishte pasur paksa hezitim, zakonisht te gratë e moshuara, të cilat e kanë arsyetuar këtë vendim me pasiugrinë në vete. Por ajo është e kënaqur me pjesëmarjen e atyre grave, të cilat kishin vendosur të përfundojnë në mësimin e shkrim-leximit, që e kishin filluar disa dekada më herët, por kurrë nuk e kishin përfunduar.

“Ky rikthim nga ana e tyre është përkrahur edhe prej familjarëve. Ato po i kalojnë këto sfida me ndihmën e stafit. Edhe përzgjedhja e arimstarëve në këtë rast ka qenë e qëlluar, gjithmonë i kanë stimuluar ato gra, i kanë inkurajuar ato për të vazhduar”, tregon Ferizi.

Habibe Gërxhaliu, arsimtare e këtij programi për zhdukjen e analfabetizmit te gratë në komunën e Vushtrrisë, thotë se kjo është punë e vështirë, por se në të njëjten kohë edhe një kënaqësi, duke shtuar se vullneti i këtyre grave ia kishte lehtësuar punën.

Ajo kujton fjalët e një vajze në orën e parë, e cila kishte thënë se arsyeja pse ishte kyçur në këtë program ishte ”se sot nuk ka gjë më të vështirë se të dalësh në rrugë e mos të dish të lexosh”. Gërxhaliu thotë se kjo e kishte prekur por njëherësh e kishte kuptuar këtë edhe si një lloj nderimi për personelin e OJQ-së ‘’Ato’’.

“Kam filluar me një klasë prej 13 veta në fshatin Skrome dhe në fund të trajnimit të gjitha kanë qenë në gjendje të shkruajnë e të lexojnë. Me të vërtetë është dashur të bëhet një punë e dyfishtë në krahasim me atë nëpër shkolla”, thotë Gërxhaliu.

Si thotë udhëheqësja e kësaj OJQ-se, Fikrije Ferizi, deri tash këtë program kanë kaluar rreth 60 gra nga pesë fshatra të komunës se Vushtrrisë, ndërkohë që vazhdimi i këtij programi edhe në fshatrat e tjera do të varet prej fondeve.

Kjo organizatë joqeveritare ka synim edhe mosbraktisjen e shkollave të vajzave të reja, sidomos nga fshatrat e komunës së Vushtrrisë. Sipas Ferizit, me mbështetjen e ‘’Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës’’ me seli në Prishtinë, kohëve të fundit, ishte parandaluar braktisja e mësimit nga  shtatë  vajza, në fshatin Skrom.

“Një fshat shumë rural dhe në mungesë të transporitit ka pas tentim të braktisjes së shkollës. Po, ne kemi avokuar në Drejtorinë e Arsimit dhe ata na kanë përkrahur. Këto vajza  kanë vazhduar shkollimin dhe ky ka qenë sukses shumë i madh për neve”, ka treguar Ferizi.

Në zhdukjen e analfabetizmit te gratë është angazhuar edhe organizata joqeveritare “Mundësia”,  e cila aktivitetin e saj e zhvillon në komunën e afërt, atë të Mitrovicës së Jugut.

Hasime Tahiri Hasani, drejtoreshë e kësaj organizate thotë se ka vërtetuar disa nga arsyet pse gratë në këtë komunë janë të interesuara  të mësojnë shkrim e lexim.  Në mesin e grave të interesuar për mësimin e shkrim-leximit, janë edhe më të moshuarat që shumicën e kohës kalojnë vetënë shtëpi e kanë dëshirë të komunikojnë me familjarët që jetojnë jashtë shtetit.

“…dhe e kanë më të lehtë që të dinë të lexojnë emrin e personit, në telefonin e mençur ose internetin, saktësisht në Skype, me cilin po dojnë të komunikojnë”, thotë Tahiri Hasani.

Në hulumtimin e fundit për gjendjen në arsimin, të realizuar më 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, pohohet se në Kosovë ka 55 mijë analfabetë nga mosha 55 vjeç deri në 70.

Venera Grabanica

 

Të Rekomanduara