KosovaLive360

Teuta Avdimetaj, 26-vjeçare, në vitin 2013 ka diplomuar në American University of Kosova (AUK) në degën ekonomi dhe statistikë. Pas diplomimit ka punuar dy vjet si asistente ekzekutive e presidentes Atifete Jahjaga, dhe në nivelin master ka përfituar bursë nga Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF) në Programin e Sigurisë Ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhtaun në kryeqytetin amerikan Uashington.

Si përfituese e bursës KAEF, Teuta tregon se atje ka qëndruar për një periudhë të limituar kohore, e pastaj ka qenë e obliguar të kthehet në Kosovë për së paku dy vjet, gjë që e bëri menjëherë pas diplomimit.

Sistemi më rigoroz, më intensiv dhe më kërkues i arsimit atje më ka mësuar se sa kompetitiv mund të jetë arsimi. Çdonjëri ka qenë më i mirë se tjetri në nivelin akademik”, tha Avdimetaj.

Fokusi i saj është në siguri ndërkombëtare, një fushë më specifike, dhe siç thotë ajo ende nuk e ka gjetur veten sa duhet në tregun kosovar, përveçse është e angazhuar në disa konsulenca.

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin akademik 2017/ 2018 në Fakultetin Ekonomik janë pranuar 1,650 studentë të rinj.

Më 2016 në Kosovë janë hapur 10,424 biznese e janë mbyllur 2376 sosh: në periudhën gjashtëmujore të vitit 2017 , ndërkaq janë hapur 5,087 biznese të reja dhe janë mbyllur 890.

Një mundësi e mirë për angazhimin e gjithë këtyre të rinjve të diplomuar në fushën e ekonomisë, të cilët për shkak të pamundësisë së punësimit të menjëhershëm, viteve të fundit është paraqitur në formë të një burse prestigjioze, atë të KAEF-it.

Një mbrëmje në fundjavën e kaluar, Muzeu Etnologjik i Kosovës, për dallim nga herat e tjera, mori një pamje dhe atmosferë tjetër. Të pranishmit nuk ishin aty për trashëgiminë kulturore, por kësaj radhe për “Natën e yjeve në ngritje”, e organizuar nga KAEF-i.

Me një çmim prej 30 eurosh për pjesëmarrje, në këtë mbrëmje ishin shumë përfaqësues të kompanive kontributdhënëse për fondet e duhura për bursa.

Stafi i KAEF-it dhe shumë sponsorë ishin përkujdesur që në këtë mbrëmje të mos mungonte asgjë: tavolinat të mbushura me lloj lloj ushqimesh tradicionale dhe pije, e për argëtimin e të pranishmëve performoi rok grupi i njohur “Asgjë Sikur Dielli”.

KAEF-i i cili është themeluar nga USAID-i në vitin 2005, ofron bursa dyvjeçare për studimet master, kryesisht në drejtimet që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë.

Gjeni Shporta, drejtor i zyrës së Këshillit Amerikan tregon, se ata organizojnë mbrëmje të tilla dy herë në vit, në Prishtinë dhe Nju-Jork.

Këto mbrëmje organizohen për ngritjen e fondeve, në mënyrë që të ofrohen sa më shumë bursa për studentë. Për një student një bursë e plotë arrin rreth 70 mijë dollarë.

Edukimi në Kosovë po dëshmohet si diçka shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit. Në këtë mënyrë KAEF-i po ofron mundësi për studimet master. Deri më sot kemi investuar në 92 studentë dhe do vazhdojmë të investojmë…”, pohoi Shporta.

Përzgjedhja e studentëve kalon nëpër disa faza. Kandidatë aplikojnë, bashkangjesin dokumentet shtesë, ndërsa përzgjedhja e mëtejme e tyre bëhet përmes intervistave dhe testeve të standardizuara të cilave ata u nënshtrohen. Rezultatet kontrollohen në Uashington nga një komision i pavarur dhe vendoset sa bursa do të jepen.

Dale Pfeiffer, ish-drejtori i USAID-it, njeri ndër njerëzit kyç pas themelimit të KAEF-it, rikujton fillet në vitin 2005.

Kongresi i SHBA-ve na dha fondet që ne të mund të investojmë, për studimet e të rinjëve kosovarë në Shtetet e Bashkuara, por kusht ishte që studimet të jenë vetëm në fushën e ekonomisë, përkatësisht në fushat e lidhura me biznesin”, tregon Pfeiffer.

Ai beson se vitin e ardhshëm do të kenë mbledhur mjete të mjaftueshme për t’i mbështetur njëqind studentë.

Sipas tij, çdo gjë lidhet me ekonominë, prandaj edhe konstaton se shteti i Kosovës ka nevojë për ekonomistë të suksesshëm.

Ne bëjmë një përzgjedhje shumë të kujdesshme, prandaj studentët tanë deri më tani na kanë mahnitur me sukseset e tyre në Kosovë”, rrëfen Pfeiffer.

Driton Hapçiu, drejtor ekzekutiv i kompanisë Cacttus, e cila ofron shërbime të teknologjisë së informacionit në Kosovë dhe rajon, thotë se që nga themelimi e kanë mbështetur financiarisht programin e KAEF-it.

Arsyeja ka qenë sepse, sipas tij, ky program ndihmon në krijimin e një të ardhme më të mirë. Ai thotë se dëshiron që studentëve kosovarë t’u mundësohet përfshirja në një përvojë krejt tjetër të edukimit, ndërmarrësisë dhe biznesit.

“Këtë të ardhme e kemi parë në suksesin e dy bursistëve tanë që pas përfundimit të studimeve na kanë sjellë inovacion dhe metoda efektive në punë. Kanë shtuar vlerën e kompanisë dhe të produkteve që i ofrojmë në treg”, tregon Hapçiu.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, i cili mbajti një fjalim rasti, tha se është detyrë e çdo qeverie që vjen në pushtet dhe e çdo qytetari, që të këmbëngulin në krijimin e një sistemi të tillë, në shkollat kosovare, që çdo nxënës të dijë çfarë ka prirje, dhe se pasioni i tyre do të shpërblehet.

Luftimi i korrupsionit, ngritja e nivelit ekonomik, krijimi i shanseve për punësim, do t’ia mundësonte Kosovës integrimin europian. E kjo mund të arrihet nëse çdo i ri rritet duke u mësuar ta japë kontributin e tij”, u shpreh ai.

Bersant Disha, drejtor ekzekutiv i kompanisë konsulente Recura Financial, ka thënë për KosovaLive se përveç KAEF-it ata përkrahin edhe organizata të tjera që lidhen me edukimin e të rinjëve.

Ne përfitojmë shumë nga këta të rinj bursistë të KAEF-it sepse ata e pasurojnë ekipin tonë dhe na mundësojnë të rritemi si firmë. Ky është kthim prapa i investimeve tona. Kompania jonë është e suksesshme por gjithmonë do të ketë nevojë për studentë të tillë”, tha ai

Liridonë Demaj, njëra prej studentëve që kishte ardhur për të mësuar për së afërmi nga bursistët e KAEF-it për sistemin e edukimit që ofrohet, konsideron se të rinjtë kosovarë duhet të shfrytëzojnë mundësi për ngritje profesionale e të kthehen ta japin kontributin e tyre në Kosovë.

Një numër i madh i sponzorëve kishin mundësuar realizimin e kësaj mbrëmjeje dhe mbledhjen e mjeteve: Limak, Recura, Kostt, Raiffeisen Bank Kosova, Banka për Biznes, Cacttus Sha, Roche, Finesë, Stone Castle, Hotel Nartel, Restaurant Tiffany, Muzeu Etnologjik, Korporata Rugove, Amel, Gagi print, Meridian Express, Rrota…

Fjolla Hajrizaj/Nafie Sylejmani

Të Rekomanduara