KosovaLive360

21 Qershor 2016
Një kamp veror për teknologji me rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova dhe diaspora

Hapësira krijuese BONEVET, që është një organizatë me seli në Gjakovë, e cila mbledh krijues fëmijë dhe të rritur me synimin për të krijuar dhe mësuar gjëra të reja në fushën e teknologjisë, inovacionit, elektronikës, mekanikës dhe artit, gjatë muajve korrik dhe gusht do të organizojë për herë të dytë kampin veror për pjesëmarrës të moshave prej 8 deri në 18 vjeç.

Lekë Zherka, drejtor ekzekutiv i BONEVET, thekson se në këtë kamp veror parashihet të marrin pjesë 200 pjesëmarrës, të cilët do të kenë mundësi të krijojnë video-lojëra, të mësojnë programim në programet littleBits dhe Arduino dhe të ndërtojnë robotë për një javë, nga 4 orë çdo ditë.

“Kjo platformë edukuese i dedikohet fëmijëve të Kosovës dhe diasporës, me qëllimin që përmes teknologjisë, inovacionit dhe aktiviteteve verore t’i ndihmojë ata të përvetësojnë gjuhën shqipe, krijojnë shoqëri të re, të mësojnë dhe ndërtojnë punime fantastike. Trajnimet interesante, shoqërimi me fëmijë të tjerë, kurset atraktive, krijimi i punimeve unike, argëtimi dhe mësimi i lëmive teknologjike do të jenë pikat kyçe që do të bëjnë kampin si aktivitetin më atraktiv veror”, ka thënë ai për KosovaLive.

Hapësira krijuese BONEVET është organizatë me seli në Gjakovë, e cila mbledh krijues fëmijë dhe të rritur me synimin për të krijuar dhe mësuar gjëra të reja në fushën e teknologjisë, inovacionit, elektronikës, mekanikës dhe artit.

“BONEVET zhvillon kurse profesionale, interesante e novatore në fushat e teknologjisë, programimit, elektronikës, mekanikës, dhe artit për fëmijë dhe të rritur. Ideja fillestare e themelimit të kurseve, ka qenë plotësimi i praktikës së nevojshme që i duhet edukimit në Kosovë. Për të qenë pjesë e secilës prej klasave, nuk duhet njohuri paraprake. Klasat janë të formuara me plan-programe interaktive që rrisin kreativitetin, aftësitë organizative, vetëbesimin dhe komunikimin e mirëfilltë”, ka thënë ai.

BONEVET 1

BONEVET organizon edhe ligjërata motivuese ku fton folës të suksesshëm të lëmive të ndryshme, të cilat sipas Zherkës shërbejnë si inspirim, pasi ata tregojnë eksperiencat dhe ecurinë që kanë kaluar për të arritur një sukses.

“Pjesëmarrja në aktivitete të këtij llojit gjithmonë është e madhe dhe përgjatë tyre të gjithë bëjnë pyetje dhe diskutojnë për temën e trajtuar. Gjatë një viti e gjysmë sa ekziston kjo hapësirë krijuese është bërë pjesë e shumë projekteve të mëdha që kanë ndodhur paralelisht në vende tjera botërore, të tilla si European Maker Week dhe CroWdsoursing Week”, ka thënë ai.

Kjo organizatë ka 44 anëtarë vjetor. Njëri nga ta është Vullnet Polloshka. Ai ka thënë se kjo hapësirë krijuese i ofron mundësinë që të mësojë dhe të argëtohet njëkohësisht.

“Kisha dëgjuar edhe më herët për BONEVET, si dhe për pajisjet dhe mjetet që nuk mund t’i gjesh në vende të tjera. Dhe kur e vizitova për herë të parë, u mahnita nga gjërat që pashë, sepse ishin gjëra që nuk i kisha parë kurrë në jetën time. Pas vizitës, vendosa të jem pjesë e kësaj hapësire, sepse vërejta se doja të mësoja si të bëja krijime inovative. Shtysë tjetër për të qenë pjesë e BONEVET, ishte takimi që do të bëja me të rinj tjerë që kanë të njëjtat interesa me mua. Doja të bëhesha pjesë e këtij vendi ku jo vetëm që mëson , por edhe argëtohesh, punon dhe takohesh me persona shumë të talentuar”, ka thënë ai.

BONEVET 2

Buna Perteshoni ka thënë se BONEVET ashtu si edhe vetë emri ka filluar si një ide dhe përpjekje për të bërë diçka më ndryshe nga të tjerët.

“Të jesh një anëtar dhe pjesëmarrës në klasat e organizuara në këtë hapësirë është një kënaqësi, sepse ato janë mjaft të veçanta dhe ideale për të funksionalizuar idetë dhe për të punuar në grupe. Veçantia e të të qenit pjesë në BONEVET është dispozicioni që ka stafi dhe anëtarët e kësaj hapësire për të ndihmuar të gjithë ata që kanë një ide për ta jetësuar në një projekt dhe zgjerimin e horizontit të njohurive. Unë kam dëgjuar në shkollë, gjatë një prezantimi për BONEVET, gjë që më ka lënë shumë mbresa dhe më ka shtyrë që të anëtarësohem”, ka thënë ajo.

/Teuta Berisha – Vajzat ngrisin zërin/

logo e vajzat ngrisin zerin

 

Të Rekomanduara