KosovaLive360

Nuk ndodhë shpesh që në rrugët e qytetit të Prishtinës të shohim çifte të seksit të njëjtë, të përqafuara apo vetëm duke i mbajtur duart me njëri-tjetrin. R.B. 27 vjeç dhe Y.U 20 vjeç, janë në një marrëdhënie dashurie rreth afro 4 muajsh.

R.B. pohon se e ndien veten më shumë si biseksuale dhe këtë e ka vërtetuar me përvojat që ka pasur në kohën e adoleshencës. Ajo gjithashtu rrëfen se shoqëria e saj e kanë mirëpritur mënyrën se si ajo ndihet.

“Kam marrë kohë derisa e kam kuptuar tamam se si po ndihem, për arsye se një herë dyshojsha, tani nuk e dijsha a kam ndjenja vetëm për çika apo vetëm për djem, sepse është varur nga njerëzit që më pëlqejshin momentalisht. Ama kur veç kam filluar të hulumtoj e kam kuptuar çka jam edhe kam filluar me i tregu shoqërisë time, kushdo qe më ka pyetur, dhe nuk kanë reaguar keq në asnjë mënyrë. Sa i përket familjes, vetëm nënës i kam treguar, ama ajo mendon që është fazë, mendon që do ta kaloj”, thotë R.B..

Në anën tjetër, Y.U. e kishte kuptuar se ka ndjenja vetëm për vajza në kohën kur prindërit e kishin dërguar në kopsht ku, siç thotë ajo, kishte kuptuar që orientimi seksual i saj dallon nga njerëzit e tjerë që ka rreth vetës. Pranon se e kishte të vështirë të pranonte mënyrën se si ndihej dhe i është dashur kohë që ta bëjë këtë. Prindërit e saj dhe disa prej atyre me të cilët ajo shoqërohet ende nuk janë të informuar për orientimin seksual që ka.

“Kur rritesh me një vend të vogël dhe që komuniteti LGBTI është ende tabu aty për me i tregu shoqërisë se si po ndjehesh, duhesh me qenë shumë i/e fortë, se vetëm duhesh me i prit komentet negative që ata dijnë me t’i bë dhe shumë dijnë me të lëndu. Tani kam shoqëri të komunitetit dhe ndjehem vetja kur jam me njerëz që janë si unë. Familjarët ende nuk e dijnë, dyshojnë ata por unë nuk ju kam treguar se si ndjehem. Kjo më mundon më së shumti sepse ata nuk e dijnë dhe unë gjatë gjithë kohës jam në stres. Kur e njeh familjen tënde edhe e din që janë homofobë e din se me çka do të përballësh nëse ju tregon”, rrëfen Y.U..

R.B. dhe Y.U. tani për tani nuk kanë guxim që t’ju tregojnë familjarëve që janë së bashku dhe të dalin haptas në publik dhe të jetojnë të qeta në Kosovë po e kanë shumë të vështirë.

Vajzat rrëfejnë për jetën e tyre në çift, duke thënë që me njëra tjetrën po ndjehen më të plotësuara dhe lidhjen e tyre e konsiderojnë si çdo lidhje tjetër, pavarësisht që janë të seksit të njëjtë.

Agim Margilaj, menaxher i programit në organizatën joqeveritare “Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore” (CSGD), tregon se personat e komunitetit LGBTI ballafaqohen me dhunën psiqike, fizike dhe financiare në familje, ngacmime dhe diskrimin në arsim, shëndetësi dhe punësim.

“Për shkak të homofobisë së lartë në shoqërinë tonë, çiftet LGBTI duhet të jenë pothuajse inekzistente duke iu shamngur çdo rrethi si çift i të njejtit seks. Dy nga disa rastet që janë raportuar në organizatë janë: një çift gej është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar nga qiradhënësi pasi ky i fundit ka zbuluar që dy personat janë çift gej dhe një vajzë tjetër ka përjetuar dhunë fizike, kërcënime dhe dhunë psiqike nga familjarët e saj pasi zbulojnë që vajza e tyre është në lidhje me një vajzë tjetër”, thotë Margilaj.

Sipas tij, sistemi i edukimit duhet të përmirësohet dukshëm duke filluar nga tekstet shkollore deri te universitetet. Në tekstet shkollore dhe universitare, siç thotë ai, mund të hasen përmbajtje homofobike, transfobike dhe seksiste. Ai konsideron se institucionet e rendit duhen të jenë më efikase në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e viktimave që iu kanë shkelur të drejtat në bazë të orientimit seksual ose identitetit gjinor.

Lendi Mustafa, menaxher i projekteve në organizatën joqeveritare “Center for Equality and Liberty” (CEL), thotë se komuniteti vështirësitë më të mëdha i kalon në shoqëri, duke bërë që komuniteti të mos ndjehet rehat në hapësira publike.

“Hapat e parë për ndryshimin e shoqërisë janë vetëdijësimi i qytetarëve dhe fuqizimi dhe promovimi i ligjeve.Kur shoqëria të jetë gati apo të jetë e vetëdijshme për të drejtat e personave të komunitetit LGBT, atëherë do të krijohej një vend i sigurt për çiftet e komunitetit”, thekson ai.

Shumë nga personat e komunitetit LGBT, sipas tij, janë të shtyrë që lidhjet e tyre t’i mbajnë të fshehura vetëm që të mos gjykohen në shoqëri.

Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës ofron siguri të lartë dhe mbrojtje për të drejtat e njeriut. Neni 24 i Kushtetutës përshkruan se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe të gjithë gëzojnë mbrojtje të barabartë nga ligji pa diskriminim. Në Paragrafin 2 të nenit 24 theksohet se “askush nuk duhet të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare apo shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike dhe sociale , orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.”

Sipas një hulumtimi të National Democratic Institute (NDI) në vitin 2015, vetëm 3% e respodentëve thanë se do ta përkrahnin fëmijën e tyre nëse i përket komunitetit LGBTI kurse 41% thanë që do t’i ndihmonin fëmijës së tyre që të gjente “një kurë për t’u shëruar”. Në anën tjetër nëse ndonjë parti politike do të përkrahnte të drejtat e komunitetit LGBTI, 60% e të anketuarve u deklauran se nuk do të votonin për atë parti. Në ndërkohë, 81% e të anketuarve mendojnë që në Kosovë komuniteti LGBTI janë më të diskriminuarit.

Besarta Breznica

Të Rekomanduara