KosovaLive360

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimit Vjetor për Vepër Jetësore dhe çmimeve tjera për teatër.

Çmimi për Vepër Jetësore sivjet, në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale i është ndarë aktores Myrvete Kurtishi, me motivacionin një jetë kushtuar teatrit, me dhjetëra role të shkëlqyeshme në Teatrin e Gjakovës dhe në teatro tjera e bëjnë aktoren bartëse të denjë të çmimit për vepër jetësore. Çmimi ka edhe shpërblim financiar në bazë të rregullores për ndarjen e çmimeve për teatër në vlerë prej 5000 euro.

“Ndoshta kisha dalë para një mijë personash për ta dhënë shfaqjen, pa mu dridhur duart dhe goja por kjo është sakrifica ime për dyzetë vite”, tha ndër të tjera laureatja Myrvete Kurtishi, e cila falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur gjatë gjithë karrierës së saj për katër dekada. “Falënderoj edhe publikun tim i cili më ka rrit, më ka kriju, më ka frymëzu dhe më ka pru deri në këtë moment që t’i fitoi këto “, u shpreh aktorja Kurtishi.

Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të Qytetit të Prizrenit  “Bekim Fehmiu” për shfaqjen “Armiku i Popullit”, shfaqje me regji të Fatos Berishës. Ndërkaq, çmimin për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”. Të dy çmimet shpërblehen me vlerë monetare me nga 2500 euro secili.

Juria ka arsyetuar se shfaqja “Armiku i popullit” e Teatrit të Prizrenit ka marrë gjithsej nëntë çmime në festivale të ndryshme dhe në një konkurrencë e juri ndërkombëtare. Ndërsa, regjisorit Bekteshi çmimi i është ndarë me arsyetimin se ka dëshmuar talent të padiskutueshëm në fushën e regjisë së teatrit.

Juria e cila ka qenë në përbërje të Luan Daka, Liridon Cahani, Vlora Nikçi, Mirsad Ferati dhe Nentor Fetiu, ka vlerësuar se çmimi për aktorin më të mirë dhe çmimi për prezantimin më të mirë ndërkombëtar të mos ndahen fare.

Ministri Kujtim Gashi, ndarjen e këtyre çmimeve e ka vlerësuar si një lloj respekti dhe mirënjohjeje nga ana e institucioneve për angazhimin dhe punën kreative të artistëve dhe se kanë zgjedhur këtë ditë të shënuar për t’i ndarë këto çmime.

“Me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, në nderim dhe vlerësim të punës dhe krijimtarisë tuaj të shkëlqyer si artistë kemi vendosur t’i ndajmë këto çmime. Dua t’i uroj edhe Jurinë Profesionale për punën e shkëlqyer që ka bërë ajo. Jam i bindur që vendimi i tyre ka qenë profesionale dhe neve si ministri na mbetet të vlerësojmë punën e juaj gjatë vitit 2017, dhe të inkurajojmë artistët që viti 2018 të jetë vit i angazhimit me punën e juaj. 

Ne si ministri do të ndihmojmë juve edhe me këto çmime, edhe përmes rrugëve alternative. Konfirmoj se do të jemi mbështetës të gjithë aktorëve. I uroj të gjithë aktorët për Ditën Botërore për Teatrin”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi.

Të Rekomanduara