KosovaLive360

Ilire Lepaja, 35 vjeçare nga Prishtina para një viti e gjysmë ka vendosur që në emër të saj të hap një dyqan të cilin e ka quajtur “IL Art e Zanat”. Në këtë dyqan i cili ndodhet në qendër të qytetit ajo shet materiale të ndryshme me motive tradicionale si bexha, çanta, kartolina, gota, jastëka punëdore, qëndisje në kornizë dhe magnete me ilustrim, të gjitha që i ka dizajnuar vet.

Pas përfundimit të studimeve të dizajnit grafik në Degën e Arteve Figurative në Universitetin e Prishtinës, Ilirja kishte punuar në disa kompani të dizajnit në Kosovë, por në mungesë të hapësirës për të shprehur talentin dhe kreativitetin, ajo kishte vendosur të kursejë të holla me qëllim që të nis një biznes të vetin.

Ilirja është nga ato të pakta gra në Kosovë që ka një biznes të vetin dhe thotë se me këtë ka përmbushur qëllimet e saj dhe se me këtë biznes mund të jetojë një jetë normale.

Nga hulumtimi i vitit 2017 i Institutit Riinvest “Gratë në ndërmarrësi”, doli se vetëm 10 % e bizneseve aktive në Kosovë janë në pronësi të grave. Në  këtë hulumtim është theksuar se shumica e bizneseve në pronësi të grave janë të vogla dhe se kryesisht janë të  orientuara në sektorin e tregtisë dhe shërbimit, si për shembull në sallone të bukurisë dhe floktarisë.

Sipas një ankete nga Instituti D4D (Demokracia për Zhvillim) më shumë se 53.2% të të anketuarve theksojnë se arsye kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është se ato kanë përgjegjësi që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në familje, derisa 30% e theksojnë mungesën e mundësive të punësimit si arsye për përjashtimin e grave.

Në pyetjen se çfarë duhet të bëhet në lidhje me stimulimin e grave që ato të bëhen aktive në tregun e punës, rreth 33% të të anketuarve mendojnë se trajtimi i barabartë ndërmjet burrave dhe grave është zgjidhja, pasuar nga 25% që mendojnë se paga e njëjtë për përgjegjësi të njëjta është zgjidhja tjetër shumë e nevojshme.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, tregon se gratë gjithmonë përballen me shumë sfida në tregun e punës.

“Është vështirë të fillohet një biznes pa kapital dhe është shumë e vështirë të financohen nga bankat pa pasur pronë që do të lihej si kolateral. Vetëm 2% e grave në Kosovë kanë kredi bankare ku prona e tyre e paluajtshme është lënë si kolateral. Gjithashtu edhe nëse gratë udhëheqin ndonjë biznes, zakonisht ato janë biznese të vogla mikro’’, thotë Demolli.

Ajo gjithashtu shton se gratë shumë shpesh pengohen edhe nga familjarët të cilët mendojnë se gratë e martuara dhe me fëmijë duhet të kujdesen për fëmijët dhe punët në shtëpi.

Demolli mendon se edhe pse Kosova është duke e krijuar traditën në promovimin e barazisë gjinore, për të arritur një potencial më të madh ekonomik ende duhet të punohet drejt përfshirjes më të madhe të grave në ekonomi dhe të ofrohen më shumë mundësi për fuqizimin ekonomik të tyre.

Vesë Krasniqi, absolvente në Fakultetin Ekonomik në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet  nga Universiteti e Prishtinës tregon se edhe ajo në të ardhmen mendon të merret me biznes dhe se është duke punuar në atë drejtim. Gjithashtu ajo beson se e ardhmja do të sjellë edhe më shumë vajza në fushën e ndërmarrësisë.

“Unë dua ta sprovoj veten në biznes pasi që kam studiuar për tre vite për këtë gjë. Gjithashtu kam qenë pjesë e shumë trajnimeve të cilat më kanë ndihmuar shumë. Në Fakultetin Ekonomik ka shumë vajza të cilat ndjekin studimet, gjë e cila  hap rrugën për një të ardhme më të mirë për vajzat në fushën e ndërrmarësisë’’.

Fatlinda Daku

Të Rekomanduara