KosovaLive360

26 Nëntor, 2015
Musliu: Nuk do të heqim dorë nga përdorimi i teksteve mësimore nga Kosova

PRESHEVË, 26 nëntor 2015. (Beta) – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ka deklaruar sot se shqiptarët e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës nuk do të heqin dorë nga kërkesa që t’i lejohet përdorimi i teksteve mësimore për shkollat fillore nga Kosova, të cilat si donacion i Ministrisë së arsimit nga Prishtina, tanimë tre muaj gjenden në terminalin doganor në Preshevë dhe pushteti serb nuk po lejon shpërndarjen e tyre.

Musliu ka deklaruar për agjencinë Beta që me këtë kërkesë tanimë janë mbajtur disa protesta ku kanë marrë pjesë nxënësit dhe shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa një protestë është organizuar dje në Bujanoc, ku nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” kanë mbajtur një shëtitje protestuese prej shkollës deri tek ndërtesa e komunës.

Nxënësit në protestë që zgjati një orë shkollore, nën sigurim të një numri të madh të policëve, mbajtën transparente “Duam librat tona”, “Librat në shkolla e jo në terminal” dhe “Duam të mësojmë si miqtë tonë në rajon”, ndërsa protestën e ka mbështetur Këshilli Kombëtar Shqiptar.

“Në doganën e Preshevës tanimë tre muaj gjenden 103.220 tekste shkollore, të cilat si donacion i Ministrisë së arsimit iu janë dedikuar shkollave shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këto libra janë me program evropian dhe në to nuk ka asnjë provokim. Mbajtja e tyre në terminal është politikë e keqe e Beogradit”, ka thënë Musliu.

/Shkrimi është pjesë e këmbimit të lajmeve mes KosovaLive dhe agjencisë Beta, në kuadër të projektit Kosova-Serbia LIVE, të mbështetur nga Komisioni Evropian/

Të Rekomanduara