KosovaLive360

2 Shkurt 2018
Mentaliteti ende mban të heshtura shumë raste të ngacmimeve seksuale

image
Processed with VSCO with a6 preset

S.L., 17-vjeçare, nxënëse e shkollës së mesme, asnjëherë nuk do të harrojë tmerrin të cilin kishte përjetuar si vajzë 8-vjeçare, kur përjetoi ngacmim seksual nga një mashkull rreth të 20-tave.

Ngjarja ndodhi në hyrjen e ndërtesës ku ajo jetonte dhe kur ai djalë kishte kërkuar prej saj që bashkë të gjenin një shok të tij që supozohej të jetonte në atë ndërtesë. Si një vajzë e vogël dhe naive e kishte pranuar këtë ide. Por pas disa minutash, ajo ishte përballur me frikën që do ta përcillte gjatë gjithë jetës.

“Pasi që kaluam dy kate u ndala për t’i thënë se më shumë nuk mund t’i ndihmoja, por kur u ktheva mbeta pa fjalë. I panjohuri kishe nxerur në pah organin e tij gjenital, e duke më shikuar më thotë ‘hajde prekma’. Unë isha e shokuar dhe filova të vrapoja poshtë shkallëve e për fat ai nuk më ndoqi”, thotë S.L.

A.L., babai i vajzës, për KosovaLive thotë se për këtë situatë kishtë marrë vesh një orë pasi që kishte ndodhur dhe për këtë arsye nuk kishte mundur të reagonte menjëherë dhe të identifikonte personin. Në pamundësi të përshkrimit të detajizuar të personit, ai nuk e kishte lajëmruar rastin në polici.

“Një kohë të gjatë ishim të alarmuar se personi që ngacmoi vajzën do të vinte sërish në vendin ku banonim e do të kryente një akt tjetër. Të dy prindërit u munduam që sa më shumë ta ndihmonim vajzën dhe që ajo eksperiencë frikësuese të mos kishte pasoja të mëvonshme në jetën e fëmisë,” thotë A.L..

Vahide Morina, psikologe në Fondacionin Together Kosova (FTK) me seli në Prishtinë, jep këshillim online në ueb faqen www.nukjevet.net për të rinjtë kryesisht rreth moshave 12-25 vjeçare, për problemet me të cilat ata ballafoqehen. Në mes tjerash, ajo u ndihmon me udhëzime profesionale të mbijetuarave të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual dhe ngacmimit seksual, ndërsa gjatë dy viteve të fundit edhe në fushën e riintegrimit të tyre në shoqëri.

Ajo thotë se termi “ngacmim seksual”, përfshin çdo dukuri të padëshiruar fizike, verbale dhe jo-verbale, që e bën një individ të ndjehet seksualisht i pasigurt. Aspektet e ngacmimit mund të përfshijnë komente seksuale, gjeste fizike, shfaqjen e përmbajtjes pornografike dhe përhapjen e thashethemeve seksuale të te tjerët.

“Përderisa viktimat e përdhunimit e dinë saktësisht se çfarë po ndodh me ta dhe se si po keqpërdoren, te viktimat e ngacmimeve seksuale vërehet që shpesh janë të hutuar dhe të pasigurt në lidhje me përjetimet e ngacmimit seksual. Kjo është për shkak se ngacmimi seksual mund të ndodhë shumë shpejt ose mund të ndodhë si një seri ngjarjesh gjatë një periudhe të gjatë kohore”, thotë Morina.

Shenjat depresive, tërheqja nga aktivitetet e tyre të përditshme ose shmangia e shoqërisë, humbja e oreksit, çrregullime të gjumit janë disa nga ndryshimet e sjelljeve te viktimat e ngacmimeve. Po ata mund të kenë edhe pasoja më të rënda si: stres të lartë, ankth ose sulme paniku deri te mënyra e perceptimit të gjërave, duke e konsideruar mjedisin e tyre me negativitet dhe armiqësi.

Morina thotë se që nga viti 2010 kur është krijuar platforma “Nukjevet” janë përgjigjur mbi 21 mijë pyetjeve të ndryshme nga të rinjtë kosovarë, prej të cilave 179 për ngacmimin dhe dhunën seksuale .Organizata joqeveritare FTK e themeluar në vitin 2009, deri tash nuk ka shkelur parimin se identeti i të interesuarve që kanë kërkuar ndihmë të mbetet anonym, dhe thekson se këshillat janë falas.

Ferdi Kamberi, sociolog konsideron se kompleksiteti dhe ndjeshmëria janë disa nga arsyet që rastet e ngacmimit seksual mbeten të heshtura. Ai thotë se shoqëria kosovare shpesh nuk është e gatshme të raportojnë rastet në polici, por shton se edhe nëse raportohen rastet e ngacmimeve të të miturve ato stigmatizohen.

“Problemi vazhdon të rritet sidomos në zonat rurale ku shoqëria rrethohet me një mentalitet më patriarkal, njerëzit njihen më shumë njëri me tjetrin dhe është më e rrallë mundësia që këto raste të raportohen,” thotë Kamberi.

Në Kosovë nuk ka një databazë unike me statistika të sakta për rastet e ngacmimeve seksuale të të miturve, por sipas informative të disa organizatave joqeveritare dhe policisë së Kosovës këto raste nuk janë të rralla.

Për shembull në aplikacionin “Ec Shlirë”, nga viti 2016 deri sot janë paraqitur 21 raste. Nga këto, katër persona 14 vjeçarë, dy nga 15 vjeç, nëntë nga 16 vjeç dhe gjashtë raste ku viktimat ishin 17 vjeçarë. Në polici vetëm në vitin 2017 janë paraqitur 47 raste të ngacmimeve seksuale, ndonëse nuk saktësohet në sa prej tyre përfshiheshin të miturit.

Para shtatë vitesh, 27 organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare kanë formuar Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF). Në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, KOMF-i ka publikuar të dhëna deri në vitin 2016 për shkeljen e të drejtave të fëmijëve. Mes tjeresh janë prezantuar edhe të dhënat nga shërbimet shtetërore , ku si viktima të disa formave të dhunës, shfrytëzimit të fëmijëve dhe abuzimit seksual identifikohen 41 fëmijë kosovarë.

Renea Begolli

Të Rekomanduara