KosovaLive360

Sipas specialistes së psikologjisë klinike, Ibelinda Haliti qëndrimi i tejzgjatur në pajisjet teknologjike mund të shkaktojë çrregullime në zhvillimin mendor e fizik të fëmijës . Ajo konsideron se deri në moshën 4 vjeçare është mirë që fëmija mos t’i ekspozohet aspak teknologjisë, por të zhvillohet përmes socializimit dhe interaksionit.

Qëndrimi i tejzgjatur dhe i pakontrolluar me telefon, tablet ose kompjuter, sipas saj mund të shkaktojë çrregullime edhe në sferën sociale dhe në sferën kognitive të fëmijës ku përfshihen shkathtësitë bazë për jetën. Haliti thotë se kur këto dy sfera nuk janë të zhvilluara si duhet, çojnë në problematika në sjellje.

“Ata janë në disavantazh me fëmijët e tjerë sepse nuk kanë interaksion te drejtpërdrejtë me ta. Ndërsa në aspektin e sjelljeve mund të kenë probleme në menagjim të sjelljes, të impulsit dhe probleme në menagjimin e të folurit”, thotë Haliti.

Prindi mund ta vërejë vetë se fëmija i tij po bëhet i varur nga telefoni kur te fëmija paraqiten problematika në sjellje dhe në komunikim.

“Nëse fëmija nuk përgjigjet dhe nuk reagon ndaj ftesave të prindit për aktivite të ndryshme, ky fakt tregon se fëmija më shumë është duke jetuar në një botë virtuale se sa në botën sociale”, shton Haliti.

Ngaqë fëmijët nuk e kanë të zhvilluar mirë aftësinë e vetëkontrollit dhe vendimmarrjes, Haliti udhëzon se mënyra më e mirë për ta parandaluar varshmërinë nga telefoni, është me shëmbëllim personal. Prindërit për të bërë një punë të mirë nuk duhet vetëm t’ia ndalojnë fëmisë përdorimin e telefonit, por duhet edhe t’ia shpjegojnë arsyen pse këto pajisje nuk duhet përdorur.

Megjithatë ka raste kur në bashkëpunim me prindërit, të rinjtë e shkurtojnë kohën e tyre në pajisje teknologjike.

Sara Dervishi, nxënëse e klasës së shtatë pranon se jeta e saj është “e vështirë” pa telefonët “e mençur”, por ajo thotë se edhe me këshillimin e prindërve e ka limituar kohën që kalon me të. Në vend të përdorimit të tij, ata e këshilluan të angazhohej me aktivitete tjera.

“Pasi që prindërit më këshilluan se për shëndetin të mirë do të ishtë me mirë të ‘rrija’ më pak në telefon, vendosa ta përdorja 1 orë e gjysmë të ditë”, thotë Sara.

Thotë se tash, kohën e lirë, e kalon zakonisht në oborrin e saj duke luajtur volejboll, i cili është edhe sporti i saj i preferuar. Ajo, fatkeqësisht përbën një përjashtim.

Ismet Ferati, arsimtar i edukatës fizike në shkollën fillore “Faik Konica” thotë se rënia e vullnetit dhe dëshirës për aktivitet fizik fillon të vërehet kur nxënësit arrijnë në klasën e 8-të e të 9-të, kur ata fillojnë të fokusohen më tepër në jetën sociale. Teknologjitë e reja shndërrohen në mjete të pazëvendsueshme komunikimi, qëndrimi i tejzgjatur në internet zëvendëson lojën dhe thuajse çdo aktivitet tjetër fizik.

Për shumicën e fëmijëve dhe adoleshentëve në Kosovë, ora e edukatës fizike në shkollë mbetet aktiviteti i vetëm fizik që mund ta kenë.

“Ka edhe nga ata të tillë që ushtrojnë sporte edhe jashtë shkollës, mirëpo secila prej tyre duhet të paguhet, e jo secili prej nxënësve e ka këtë mundësi. Ky fakt e bën që disa kohën e vetme për aktivitet ta kenë në lëndën e edukatës fizike”, thotë Ferati.

Ai dhe kolegu i tij përpiqen që në planprogram të përfshijnë sa më shumë sporte dhe disciplina sportive, dhe që në aktivitete të jenë të përfshirë të gjithë nxënësit. Megjithatë ka raste kur nxënësit janë më përtaca dhe preferojnë të përdorin telefonin në vend se të bënë aktivitete, gjë që arsimtarët nuk e lejojnë.

Bajram Shyti, fizioterapeut në QKUK dhe në klinikën private “Rezonanca” thotë se pasojë e përdorimit të tepërt të pajisjeve teknologjike dhe joaktiviteti fizik mund të jenë edhe mbipesha dhe shtrembërime të boshtit kurrizor.

Fizioterapeuti thotë se mosaktivizimi i trupit dhe ushqyerja me materiale të shtuara nga yndyrnat e proteinat dhe ushqimi i shpejtë ndikon në formimin e obezitetit.

“Mungesa e aktivitetit të fëmijëve bën që të gjitha këto materie të shtuara të mbesin në trup, sepse po të ishin fëmijët aktiv, ato do të shndërroheshin në energji”, thotë Shyti.

Fizioterapeuti Shyti thotë se për t’u dallua se fëmija ka një deformitet fizik, nuk duhet të pritet paraqitja e dhimbjeve. Mbipesha është deformitet i cili mund të vërehet që në shikim të parë.

“Skolioza dhe kifoza, vërehen edhe me shikim, ku kemi mbledhje te krahëve, anim të kokës përpara, rrumbullaksim i supeve dhe theksim i këtyre kifozave deri në fazat e vonshme ku vërehen pastaj defomitete tjera siç është skolioza”, thotë Shyti

Shyti këshillon prindërit që fëmijës duhet t’i ofrohet ajo çka i duhet, e jo çfarë fëmija kërkon.

Sipas UNICEF-it, një nga tre përdorues të internetit në botë janë fëmijë.

Numri i telefonave në Kosovë është më i madh se numri i popullsisë. Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, në fund të vitit 2017 numri i telefonave në Kosovë ka arritur në gati dy millionë (1,981,365) dhe krahasuar me një vit më parë, është rritur për 13 përqind. Supozohet se shumica e shfrytëzuesve janë të rinjtë: edhe ashtu të rinjtë nën moshën 30 vjeçare përbëjnë 70 për qind të popullatës së përgjithshme.

Renea Begolli

Të Rekomanduara