KosovaLive360

Karim Talebi, rreth të 50-ve, ka lindur në Iran, por qe disa javë ai “jeton” në Kosovë, në komunën e Lipjanit –  në Qendrën e Azilantëve në fshatin Magurë. Bashkë me motrën, burrin dhe fëmijën e saj, ai ndan një dhomë për gjumë dhe një kuzhinë të vogël.

“Nuk është i vështirë qëndrimi në Kosovë. Kjo Qendër është një vend i mirë dhe të gjithë njerëzit këtu janë të mirë. Kam takuar njerëz nga Arabia, Rumania dhe kam mësuar ngapak gjuhët e tyre”,  ka treguar Talebi.

Ai nuk e di se sa do të qëndrojë në Kosovë, thotë se kjo varet nga vendimi i motrës dhe burrit të saj. Nëse ata vendosin të vazhdojnë rrugën, ai do të shkojë me ta.

Por, rruga deri në Kosovë nuk ka qenë gjithaq e lehtë.

“Rrugëtimi im nga Irani ka zgjatur tre muaj. Në fillim kam shkuar në Turqi, pastaj kam dalë në Greqi, më pas në Maqedoni e në fund kam ardhur në Kosovë… Familja ime gjendet në Iran, gruaja dhe vajza ime”, ka treguar Karimi për KosovaLive.

Fitim Zariqi, drejtori i Qendrës së Azilantëve, tregon se azilantët më shumë vijnë nga shtetet të cilat janë në konflikt.

“Deri më tani i kemi 143 azilkërkues. Edhe sivjet, si vitin e kaluar prin Afganistani prej numrit të madh për azilkërkues. Pastaj në radhë vjen Siria dhe vendet e tjera. Vitin e kaluar numri i azilantëve ka qenë 307”, thotë Zariqi.

Ai ka potencuar që shumica e azilantëve e shfrytëzojnë Kosovën si vend tranzit.

“Përmes Kosovës ata kalojnë në vende tjera më të zhvilluara. Në Kosovë qëndrojnë për të pushuar disa ditë ose javë, mesatarisht 23 ditë, e pastaj e vazhdojnë rrugën e tyre”, ka thënë Zariqi për KosovaLive.

Për këto 23 ditë ata kanë mundësinë të fillojnë të mësojnë gjuhën shqipe.

Irishah Haziraj, mësuesja e gjuhës shqipe thotë se ky kurs është në bazë vullnetare, dy herë në javë nga dy orë azilantët e kanë rastin të mësojnë ndonjë fjalë shqip dhe të shoqërohen më intensivisht me njëri-tjetrin.

“Kursi ka filluar që nga viti 2014. Planprogrami përcaktohet nga numri i vijuesve të kursit, nga cili vend kanë ardhë, moshave të ndryshme dhe gjinive… E mira e punës sonë së përbashkët është se kemi të bëjmë edhe me fëmijë”, ka thënë Haziraj.

Smajl Musa, zyrtar i lartë për Shërbime Sociale në Qendrën e Azilantëve tregon se i kushtojnë rëndësi të veçantë kërkesave të azilantëve duke u mundësuar kushte të duhura përgjatë kohës së qëndrimit të tyre.

“Nëse azilantët në Qendër kanë nevojë për mjekë, varësisht çfarë trajtimi kërkojnë i referohemi mjekut përkatës. Nese kanë nevojë për psikolog, merremi vesh me organizata të tjera. Në këtë mënyrë i kryejmë shërbimet për atë që kanë nevojë”, ka thënë Musa për KosovaLive.

Rrahman Sylejmani, drejtor për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, për KosovaLive thotë se policia është subjekt i parë që ballafaqohet me azilantët, qoftë gjatë kalimit ilegal që hyjnë përmes brezit të gjelbërt apo edhe në brendi të shtetit.

“Sipas Ligjit të Azilit dhe akteve që burojnë nga ky ligj e bëjmë trajtimin fillestar të azilkërkuesve i cili nënkupton regjistrimin e tyre sipas një formulari standard, sipas kritereve ndërkombëtare. Pastaj bëhet evidentimi i tyre, të dhënat e tyre, fotografimi e marrja e gjurmeve të gishtave. Pra, të gjitha këto kanë të bëjnë me procesin e identifikimit, pastaj bëhët dërgimi i tyre në Qendrën e Azilantëve ku edhe atje fillon një fazë e dytë e trajtimit të tyre. Pas kompletimit të dosjeve të tyre, ne dosjen ia kalojmë Ministrisë së Punëve të Brendshme, pastaj vendoset për statusin e tyre, se a i plotësojnë kriteret dhe kushtet që i kërkon ligji për të marrë një lloj mbrojtje ndërkombëtare të azilkërkimit”, ka shpjeguar Sylejmani.

Sylejmani tregon që me shtetet fqinje kanë bashkëpunime të vazhdueshme.

“Bashkëpunimi me shtetet fqinje është në rend të parë, pasi që azilantët nuk kanë rrugë tjetër për të ardhur në vendet tjera ose nga Maqedonia ose nga Shqipëria me të cilat kemi bashkëpunime, që janë të përditshme. Pa një bashkëpunim ndërpolicor është e pamundur që të kemi sukeses”, ka treguar ai.

Organizata e cila i ofron mbështetje më të madhe kësaj Qendre është UNHCR (Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë).

Narasimha Rao, kreu aktual i kësaj organizate, që në Kosovë funksionon nga viti 1994,  e që për qëllim ka mbrojtjen dhe gjetjen e zgjidhjeve për refugjatët, tregon për punën e UNHCR-it jo vetëm këtu por edhe në tridhjetë vendet e tjera të botës.

“Ne jemi përballuar me çështje të njerëzve që janë detyruar të braktisin vendin e tyre për shkaqe të dhunës, konfliktit, luftës. Këto janë disa nga arsyet pse ata ikin nga vendi i tyre dhe kërkojnë siguri në vende të tjera, dhe detyra e UNHCR është lejimi i qëndrimit të këtyre njerëzve nëse ata i plotësojnë kriteret e kërkuara,», ka thënë Rao për të shtuar se këtu tek ne UNHCR bën përpjekje për t’i ndihmuar institucionet kosovare në menaxhimin e situatave të ndryshme me azilkërkues.

Eriona Hoti

Të Rekomanduara