KosovaLive360

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës për të ndihmuar në përmirësimin e mjedisit të biznesit përmes reformimit të sistemit të inspektimeve të biznesit, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe duke ofruar shërbime më të mira për investitorët.

Marrëveshja është pjesë e Projektit të Klimës së Investimeve në Kosovë të IFC-së, i cili synon të rrisë konkurrueshmërinë e bizneseve më të vogla vendore duke ulur kostot e pajtueshmërisë me rregulloret dhe duke ndihmuar në tërheqjen dhe mbajtjen e investimeve duke forcuar kornizën ligjore dhe të politikave.

“Numri i investitorëve të gatshëm të hyjnë në tregun e Kosovës po rritet”, u shpreh Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë. “Me këtë projekt duam të zvogëlojmë numrin e inspektimeve të panevojshme të biznesit, të lehtësojmë barrën administrative për bizneset dhe t’u shërbejmë investitorëve në mënyrë më efikase”.

“Synimi ynë është të përmirësojmë klimën e investimeve në Kosovë për investitorët vendorë dhe të huaj”, tha Thomas Lubeck, menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

“Ne do të punojmë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për reformën rregullatore, duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”. 

Qeveria zvicerane ka kontribuar 2.3 milionë dollarë amerikanë në Projektin më të gjerë të Klimës së Investimeve, i cili do të zbatohet deri në vitin 2020. Projekti është në përputhje me objektivat e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2017-2020 për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për bizneset dhe për të rritur investimet.

Të Rekomanduara