KosovaLive360

Në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka parashtruar për miratim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Zhvillimor, KSV/019: Asistenca teknike në kontekstin e Integrimit Evropian.

Po ashtu, Hoxha në mbledhjen e Qeverisë, ka paraqitur gjendjen e reformave kyçe të planifikuara që nuk kanë arritur të zbatohen në kuadër të MSA-së. Ajo theksoi se marrëveshja aktuale është nënshkruar më 7 mars 2018 në Luksemburg, pas marrjes së autorizimit për nënshkrim nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kontributi i Qeverisë së Luksemburgut në financimin e projektit në bazë të granteve do të jetë në shumën maksimale prej 2.000.000 Euro (2 milionë eurove), ndërsa kontributi financiar i Kosovës do të jetë në vlerën prej 100.000€.

Ky propozim i Ministres Hoxha u miratua në Mbledhjen e Kabinetit qeveritar. Ministrja Hoxha, ka prezantuar gjendjen rreth zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë vitit të kaluar, bazuar në të gjeturat e raportit vjetor, të hartuar nga Ministria e Integrimit, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse.

“Për vitin 2017 ky program ka paraparë zbatimin e 967 masave afatshkurta, prej të cilave 260, ose rreth 26% e tyre, kanë qenë masa legjislative, ndërsa pjesa tjetër prej 707 masave, ose rreth 74% e tyre, kanë qenë masa zbatuese”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se shkalla e përgjithshme e zbatimit të Programit është 62.05%, pasi që 600 nga 967 masat e planifikuara janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 367 masave, ose 37.95%, nuk kanë arritur të zbatohen.

Më tej, theksoi Hoxha, sa u përket reformave legjislative, të gjeturat tregojnë se kemi arritur një shkallë zbatimi prej 38.47%, pasi që janë arritur të zbatohen 100 nga 260 masa afatshkurtra legjislative të planifikuara, ndërsa 160 prej tyre, ose 61.53%, nuk kanë arritur të zbatohen.

“Programi ka paraparë zbatimin e 707 masave zbatuese, ndërsa në këtë nivel është arritur një shkallë zbatimi prej 70.72%, pasi që është arritur të zbatohen 500 nga 707 masat afatshkurtra të planifikuara, ndërsa 207 prej tyre, ose 29.28%, nuk kanë arritur të zbatohen”, ka theksuar ministrja Hoxha.

Sipas të gjeturave të këtij raporti vjetor, ka vënë në pah ministrja Hoxha, reformat kyçe të planifikuara që nuk kanë arritur të zbatohen, duhet të jenë prioritet. Ajo ka ftuar Kabinetin qeveritar, që të punohet maksimalisht që të gjitha këto çështje të trajtohen me prioritet.

Të Rekomanduara