KosovaLive360

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar angazhim dhe seriozitet nga anëtarët e kabinetit qeveritar që kanë obligime për përgatitjen e shpalljes së Zonës së lirë ekonomike amerikane, në mënyrë që kjo të përfundojë në kohë. Ai ka vlerësuar se ky është një projekt me efekte afatgjate zhvillimore dhe me mesazh të mirë për të gjithë investitorët e huaj në Kosovë.

Kryeministri ka ngritur edhe shqetësimet për bllokimin e rrugës Prishtinë-Hani i Elezit nga rrëshqitjet e dheut. Ai ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës informata për punët që janë duke u bërë dhe për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për rrëshqitjet e dheut në këtë zonë.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për asistencë teknike në procesin e integrimit evropian. Asistenca pritet të jap rezultate në krijimin e mekanizmit për trajnim dhe asistencë teknike për komunikimin në mënyrë efektive të temave kyçe të procesit të integrimit, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe donatorëve.

Kontributi financiar i Qeverisë së Luksemburgut do të jetë në shumën 2 milionë euro, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës është obliguar të kontribuojë me 100 mijë euro për realizimin e këtyre projekteve.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Projektligji për efiçiencë të energjisë. Projektligji përcakton kornizën ligjore të domosdoshme për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Republikën e Kosovës. Projektligji rregullon aktivitetet që kanë për qëllim zvogëlimin e intensitetit energjetik në ekonominë shtetërore dhe që i kontribuojnë zvogëlimit të ndikimit negativ në mjedis. Me funksionalizimin e këtij projektligji, Kosova mund të fitojë fonde prej 10 milionë eurosh.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për plotësimin me dy anëtar të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc”, pas vendimit Nr.13/45, të datës 08.05.2018 të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e katër anëtarëve të Bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i rrugës regjionale Deçan-Kozhnjer, në zonat kadastrale të komunës së Deçanit, ka marr miratimin e Qeverisë në Mbledhjen e sotme.

Edhe vendimi preliminar për shpronësim të pronave të ish Ndërmarrjes Shoqërore “Sharrprodhimi” që preken nga ndërtimi i “Qendrës së komunitetit” dhe “Shtëpisë së kulturës” në fshatin Restelicë të Dragashit, është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, do të bëhet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në zonat kadastrale të komunës së Kaçanikut.

Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe Raporti vjetor për funksionimin e sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2017. Raporti pasqyron përmbledhjen e vlerësimeve të kryera në subjektet e sektorit publik në Kosovë për vitin 2017 dhe rekomandimet për përmirësime dhe ndryshime në menaxhimin e financave publike. Raporti ka për qëllim informimin e Ministrisë së Financave, Qeverinë, Kuvendin dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në subjektet e sektorit publik në Republikën e Kosovës.

Raporti do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës është informuar për zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, 2017-2021. Ky është raporti i katërt në këtë vit dhe mbulon periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2017. Të dhënat tregojnë, sipas raportit, se gjatë vitit 2017 është arritur një nivel i zbatimit të programit në masën prej 62.05%, pasi që janë zbatuar plotësisht 600 nga 967 masa të planifikuara.

Me vendimin e marrë sot në mbledhje, është bërë emërimi i Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës. Ky bord është i përkohshëm dhe mandati i tij do të zgjasë gjashtë muaj.

Të Rekomanduara