KosovaLive360

Maratona e takimeve të Albanian ICT Awards e cila do të vijojë deri në mbyllje të aplikimeve u hap më 22 shkurt pranë Institutit Harry Fultz ku të pranishëm ishin nxënës, studentë dhe profesorë të kësaj shkolle.

Gjatë këtij takimi por edhe dy të tjerave mbajtur gjatë javës së kaluar në Tiranë, Prishtinë dhe Shkodër, ekipi organizativ i ICT Awards ndau me pjesëmarrësit rrugëtimin e një inovacioni që flet shqip përgjatë pesë viteve të fundit.

Disa prej ideve inovative të prezantuara nga Instituti Harry Fultz Dega e Biznesit dhe Elektronikës ishin:

Albanian Talents, një faqe interneti që mundëson promovimin e talenteve shqiptarë.

AlTaste, një uebsajt dhe aplikacion që ofron ture të personalizuara në vende turistike shqiptare.

Platformë për të gjithë profesionistët, që të lehtësojë dhe shkurtoj kohën që duhet për të rregulluar problemet që ndodhin në shtëpi.

PowerPlus, një mënyrë e re për të karikuar celularin tuaj.

WeAreAlbania, uebsajt për promovimin e turizmit dhe reklamimit të bizneseve shqiptare.

Mark. O – Një asistent personal i punuar ne Inteligjence Artificiale i cili kryen disa funksione dixhitale dhe ka aftësi komunikimi.

Më 2 mars Albanian ICT Awards mbajti takimin e dytë informativ për edicionin e gjashtë të garës mbarëkombëtare në fushën e teknologjisë e cila startoi më 2 shkurt.

Takimi i radhës u mbajt me nxënësit e Shkollës Digjitale në Prishtinë ku ekipi i ICT Awards u njoh me afër me punën dhe krijimtarinë e tyre dhe gjithashtu u prezantuan me kriteret e garës.

Themeluar në dhjetor të 2015-ës, Shkolla Digjitale është institucion i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe është shkolla e parë e hapur në Prishtinë dhe Ferizaj, e cila ofron kurse të teknologjisë informative për fëmijët e moshave të reja. Planprogrami me të cilin funksionon Shkolla Digjitale është planprogram i përpiluar nga organizata CODE si dhe Massachusetts Institute of Technology – MIT në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo numëron mbi 800 nxënës aktivë të moshave 7-15 vjeç dhe 16-18 vjeç.

Më 4 mars në kuadër të Startup Europe Week u organizua aktiviteti Made in Albania, një bashkëpunim i Albanian ICT Awards, Albanian Skills, GO2 dhe Unique Junior Enterprise. Mbajtur pranë Shkollës Austriake, mikpritëse prej tre edicionesh e ICT Awards, aktivitetit me prezantime, workshope dhe shkëmbime idesh ju bashkuan të rinj të Shkodrës, nxënës të Shkollës Austriake, histori suksesi, sipërmarrës lokalë dhe të pasionuar.

Ngjarja ICT Awards e cila konsiderohet tashmë si një ndër më të rëndësishmet në Shqipëri e Kosovë në fushën e ICT-së, ka arritur të gjejë mbështetje të gjerë të mediave më të mëdha në vend, aktorëve më seriozë të fushës së biznesit, komunitetit e deri në qeveri, ku një vit më parë u nderua nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë me Çmimin Bleta e Artë.

Edicioni i gjashtë fillon rrugëtimin me mbështetjen e sponsorëve tradicionalë: Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision. Një rrjet i gjerë partnerësh dhe mbështetësish do të gjenden pranë ICT Awards përgjatë rrugëtimit.

Aplikimet do të vijojnë deri më 31 mars 2018 dhe të interesuarit mund të aplikojnë përmes faqes zyrtare ictawards.org.

Në javët në vijim dhjetëra takime e presin komunitetin shqiptar të teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni me të ftuar studentët, inovatorë, të rinj, adhurues dhe entuziastë të botës së teknologjisë.

ICT Awards, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, novatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së, puna e së cilëve përgjatë 2017-tës ka përmirësuar apo ndihmuar pozicionin e TIK-ut shqiptar në rajon ose botë, si dhe ka kontribuuar drejt zgjerimit të sektorit biznesor të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

 

 

Të Rekomanduara