KosovaLive360

8 Qershor 2016
Femrat po e thyejnë stereotipin se fusha e TIK-ut u përket vetëm meshkujve

Fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, e cila ka filluar të zhvillohet shumë kohëve të fundit, me disa nga profesionet që bëjnë pjesë në këtë fushë siç janë zhvillues Softueri, zhvillues për Web, zhvillues për Mobile,  IT menaxher,  e deri te pozitat më të avancuara si analist i sistemeve softuerike ose analist i sigurisë së dhënave. Mirëpo, edhe kjo degë e industrisë ka një dallim të madh në strukturën gjinore të punojësve të saj. Në Kosovë vetëm 20% e punojësve në këtë sektor janë femra, ndërsa 80% janë meshkuj.

Në hulumtimin “Femrat në teknologji, sfidat e femrave në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit” e bërë nga STIKK (Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës), ka rezultuar të ketë rreth 2 % femra të punësuara në institucionet e specializuara për TIK, por numri i femrave të punësuara ekskluzivisht në pozitat e TIK brenda këtyre institucioneve sillet nga 0 – 20%.

Për shkak të këtij numri të ulët të femrave të përfshira në këtë fushë, në Kosovë janë krijuar disa projekte për të ngritur vetëdijen dhe interesimin e vajzave dhe grave që të përfshihen në fushën e TIK. Njëra nga këto projekte është “Vajzat në TIK”, projekt i cili është duke u implementuar nga OJQ “KS-Kosova” që nga viti 2014 dhe që është i financuar nga Ambasada norvegjeze në Kosovë.

Ky projekt me staf prej 4 personash përqendrohet në nivelin e hershëm arsimor të grave, në arsimim të mesëm, për të rritur punësimin e femrave në sektorin e TIK-ut dhe gjithashtu fuqizimin transformues të grave në Kosovë.

“Projekti ‘Vajzat në TIK’ synon të inkurajon vajzat e shkollave të mesme për të përdorur TIK-un dhe gjithashtu të informohen për mundësitë e vazhdimit të mëtejmë të karrierës në sektorin e TIK”, thotë për KosovsLive Qëndresa Cenaj, asistente e projektit “Vajzat në TIK”.

Projekti “Vajzat në TIK” është duke u implementuar në shkollat e mesme të katër komunave të Kosovës: Gjakovë, Shtimje, Kamenicë dhe Fushë-Kosovë. Grupet e synuara të këtij projekti janë të gjithë mësimdhënësit e teknologjisë dhe shkencës dhe këshillues të karrierës,të shkollave të mesme nëpër këto komuna. Po ashtu të përfshira këtu janë edhe vajzat e këtyre shkollave, të cilave u ofrohen këshilla dhe u tregohen benifitet e zgjedhjes së karrierës në TIK.

“KS-Kosova” si organizatë implementuese e projektit “Vajzat në TIK”, në të ardhmen planifikon të vazhdojë projektin, dukë zgjeruar aktivitetet edhe në katër komuna tjera. Në këto aktivitete do të shtohen edhe trajnimet e nxënëseve, këshillimi për karrierë online etj.

“Edukimi i grave, vajzave dhe fëmijëve mbetet një çështje që ka nevojë për vëmendje më të madhe, që të ndikojë në rritjen e numrit të tyre për fillim të karrierës në TIK, për të inkurajuar ato që të bëhen pjesë e sektorit të TIK”, thekson Qëndresa për KosovaLive.

Sipas regjistrit të bizneseve të ATK-së, në vitin 2015 gjithsej 571 kompani janë regjistruar të kenë TIK-un apo ndonjë formë të komponentës për TIK-un si aktivitet parësor të biznesit të tyre. Ndërsa,  sipas raportit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në profilin e sektorit TIK, 45% e këtyre kompanive janë të vendosura në Prishtinë. Nuk ka statistika të sakta për kompaninë me numrin më të madh të femrave të punësuara në fushën e TIK-ut. Mirëpo, sipas njohurive të projektit “Vajzat në TIK”, kompania “Tekfuze LLC”  numrin më të madh të punëtorëve e ka femra.

Paragjykimet ndaj femrave përsa i përtket fushës së TIK-ut dhe mentaliteti se profesioni në këtë fushë i takon gjinisë mashkullore janë vetëm disa nga barrierat që hasin femrat në Kosovë të cilat duan të zgjedhin një karrierë në sektorin e teknologjisë.

“Ka menaxherë/e të kompanive që janë deklaruar prerazi që prej se ka hyrë në fuqi Ligji i punës, respektivisht Neni 49 që përcakton pushimin e lehonisë, kanë vendosur të mos punësojnë femra në fushën e TIK”, është shprehur Qëndresa Cenaj.

Një nismë tjetër është “Girls Coding Kosova”, e cila ka për qëllim inkurajimin dhe motivimin e femrave që të zgjedhin fushën e programimit si mundësi për profesionin e tyre.

“Ideja për të krijuar ‘Girls Coding Kosova’ erdhi pasi statistikat evidecuan një diskrepancë të madhe mes burrave dhe djemve në njërën anë dhe vajzave dhe grave në anën tjetër në sektorin e IT-së në Kosovë”, ka thënë Blerta Thaci, themeluese e iniciativës “Girls Coding Kosova”.

Duke e ditur që vajzat kanë shumë më shumë potencial që mund të përdoret për të mirën e shoqërisë, “Girls Coding Kosova” është krijuar për të ndihmuar në zbulimin e këtij potenciali dhe fokusimin e tij drejt benefitit shoqëror. Pjesë aktive e komunitetit “Girls Coding Kosova” janë rreth 400 e më shumë anetare, të cilat janë pjesë e aktiviteteve që organizohen.

“Nëse je pjesë e fushës së teknologjisë ke mundësi që me anë të punës tënde të arrish te miliona përdorues në botë, duke i ndihmuar ose thjeshtë argëtuar me platformat që krijon. Arsyeja tjetër mbrapa përzgjedhjes së këtij profesionit është se puna e përditshme nuk është asnjëherë e mërzitshme pasi që çdo herë ka trende dhe sfida të reja të cilat duhet t’i kalosh”, është shprehur Blerta.

Në Kosovë ka mjaft femra te cilat veç se kanë filluar të zgjedhin këtë rrugë të edukimit, mirëpo në tregun kosovar prapë ka mungesë të inkuadrimit të tyre në vende të punës në drejtimin në të cilin ato kryejnë studimet. Po ashtu është vërejtur se shumica e atyre që kanë  zgjedhur të studiojnë fushën e TIK-ut, i përkasin gjinisë mashkullore, sepse ekziston stereotipi se kjo fushë i përket vetëm gjinisë mashkullore.

Në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike (FIEK), këtë vit ka pasur një zbritje në numrin e studentëve që i përkasin gjinisë femrore. Sipas rezultateve të publikuara në faqen e internetit të fakultetit, për vitin akademik 2015/2016 janë pranuar 103 femra, në dallim me vitin akademik paraprak 2014/2015 i cili kishte në total rreth 120 femra.  Viti akademik 2013/2014 kishte vetëm 72 studente femra të pranuara në këtë fakultet.

Edhe pse numri i studenteve femra në FIEK është zvogëluar, interesimi dhe dëshira për të zhvilluar karrierën në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit vazhdon të rritet tek vajzat e reja në Kosovë. Këtë e shpreh Altina Spahija, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike.

“Studimi në FIEK është shumë sfidues, më shumë për nga ana e marrjeve të njohurive të reja. Këtë drejtim e kam zgjedhur, sepse gjithmonë kam qenë e dhënë pas teknologjisë dhe në të ardhmen shpresoj të punësohem në një kompani softuerike”, thotë Altina Spahija.

/Vesa Prapashtica – Vajzat ngrisin zërin/

logo e vajzat ngrisin zerin

Të Rekomanduara