KosovaLive360

25 Korrik 2016
Fëmijët në punë të rënda për shkak të kushteve ekonomike

Situata e rëndë ekonomike dhe sociale e shumë familjeve në Kosovë po ndikon në rritjen e numrit të fëmijëve që kryejnë edhe punë të rënda për moshën që kanë, ndërsa njohës të kësaj problematike flasin edhe për pasojat e mëvonshme psikofizike  të këtyre fëmijëve.

Janë një numër fëmijësh që tashmë ëndrrat e tyre fëminore  ua kanë prish kushtet e rënda për jetesë dhe ata duhet të punojnë për ta siguruar kafshatën e gojës. I sheh ata teksa bartin gjëra të rënda apo edhe kërkojnë lëmoshë rrugëve të qyteteve tona.

Ndonëse në moshë të re, Aidi, 12-vjeçari nga Gjilani punon në treg me karrocë dore, përderisa moshatarët e tij luanin në parkun e qytetin.

“Punoj qe dy vite. Ka njerëz që sillen shumë mirë me mua, por disa nuk më ndihmojnë  edhe pse më shohin që jam shumë i lodhur”, shprehet ai.

Pune me karroce dore

Një fëmijë i dashur e i ëmbël bënte ballë këtë punë të rëndë duke vijuar në të njëjtën kohë mësimin.

Aidi ka shumë ëndrra që i duket se i kanë ngelur në gjysmë. Thotë se ëndrra tij më e madhe është që një ditë fëmijët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe kushtet ekonomike  të mos i detyrojnë të kryejnë punë të rënda për ta.

Shqipe Haziri, psikologe në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, thotë për KosovaLive se fëmijët që punojnë punë të rënda mund të kenë pasoja edhe në aspektin psikologjik. Ajo thotë se puna e rëndë e fëmijëve në moshën e hershme ndikon negativisht edhe në zhvillimin fizik dhe psikik te fëmijët.

“Rastet kur fëmijët punojnë për shkak të kushteve ekonomike janë të shpeshta veçanërisht tek nxënësit e shkollave të mesme. Kjo reflektohet edhe me numër të madh të mungesave në mësim. Rastet që i identifikojmë i trajtojmë në bashkëpunim me Qendrën për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe me Policinë e Komunitetit”, tha Shqipe Haziri.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, tregon se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i përgjithshëm i fëmijëve në punë në Kosovë është 10.7%, ndonëse nuk është e specifikuar se sa prej tyre janë të përfshirë në punë të rënda.

Donjeta Kelmendi

Edhe Donjeta Kelmendi mendon se shkaqet pse fëmijët merren me punë të rënda duhet kërkuar në kushtet e vështira ekonomike-sociale të familjeve të tyre.

“Arsyeja kryesore pse fëmijët merren edhe me punë të rënda mbetet situata e rëndë ekonomike dhe sociale e familjeve. Format më të shpeshta të punës së rëndë përfshinë: punë në rrugë (përfshirë kërkim lëmoshën), punë në gërmimin dhe grumbullimin e mbeturinave (deponi); shfrytëzim për aktivitete në konflikt me ligjin; punë në eksploatimin e pasurive natyrore, punë në bujqësi-pylltari etj”, shtoi ajo.

Sipas saj, punët e rënda bartin një sërë pasojash tek fëmijët si për shëndetin ashtu edhe për jetën e tyre.

“Shpeshherë këta fëmijë u nënshtrohen edhe abuzimeve të ndryshme, por nuk janë të rralla as rastet kur këta fëmijë nuk vijojnë mësimin. Shqetësuese mbetet shfrytëzimi i fëmijëve për kërkim lëmoshë. Fëmijët shfrytëzohen çdo ditë në rrugët e qyteteve të Kosovës, duke e vënë veten edhe përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual ose trafikimit”, thotë për KosovaLive drejtoresha e KOMF, Donjeta Kelmendi.

Ajo thotë se Qeveria e Kosovës duhet të rishikojë kriteret për skemën e asistencës sociale dhe tregon se KOMF konkretisht ka kërkuar shfuqizimin e kriterit që një familje mund të gëzoj mbrojtje sociale nëse ka të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeçare. KOMF po ashtu ka rekomanduar ofrimin e shtesave për fëmijë, e cila është dokumentuar në shumë vende të botës si instrumenti më efektiv në zbutjen e varfërisë.

/Nita Ismaili – Vajzat ngrisin zërin/

logo e vajzat ngrisin zerin

 

Të Rekomanduara