KosovaLive360

Në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës – 9 Maj dhe Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, në Zyrën e BE-së në Kosovë u organizua konferenca “Trashëgimia Kulturore në Kosovë – Parku Arkeologjik i Ulpianës”, bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Francës në Kosovë.

Në emër të MKRS-së, në konferencë foli zëvendësministrja e MKRS-së, Burbuqe Bakija-Deva, e cila shprehu edhe kënaqësinë që në kuadër të programit për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë flitet edhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Duke folur për shënimin e kësaj dite, zëvendësministrja tha se ashtu si në vendet tjera, edhe Kosova promovon paqen dhe unitetin, kësaj radhe edhe përmes trashëgimisë kulturore duke e vlerësuar lart edhe bashkëpunimin me Zyrën e BE-së dhe Ambasadën e Francës.

Zëvendësministrja Bakija-Deva shprehu gatishmërinë e MKRS-së për të bashkëpunuar edhe për te tjera iniciativa te përbashkëta në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si pjesë integrale e trashëgimisë evropiane dhe botërore.

“Sigurisht që na presin edhe shumë punë, si institucion, si shoqëri, si shtet i ri. Sigurisht që kemi edhe shume sfida para nesh”, tha ndër të tjera zëvendësministrja, duke e ofruar edhe një një informacion përmbledhës për punët e planifikuara gjatë këtij viti.

“Ne përputhje me Planin e punës dhe buxhetin, do të punohet në shume lokalitete arkeologjike si në: kalanë e Vuqakut, kalanë e Prizrenit, te Novobërdës, Korishës, Keqekolles, Harilaqit, lokalitetin e Dersnikut dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana- një nga lokalitetet ky me te vizituara viteve të fundit. Vitin e kaluar, Parku arkeologjik ka pritur 23.000 vizitorë kurse në periudhën 1 janar – 1 maj 2018 ka pritur 7,000 vizitorë”, njoftoi zëvendësministrja.

Zëvendësministrja tha se shumë shpejt MKRS do të promovojë para opinionit publik disa nga gjetjet shumë të rëndësishme të ekspeditave nga viti i kaluar dhe njoftoi gjithashtu për përgatitjen e një dokumentari te ri për Ulpianën dhe shume risi të tjera.

Ajo foli po ashtu edhe për trashëgiminë arkitekturore, ku nënvizoi faktin se Qendra Historike e Prizrenit mbetet prioritet dhe ndërtesat tjera për kah rëndësia të klasifikuara si monumente të rëndësisë se veçantë, si ndërtesa e ish ASHAK-ut në Prishtinë, ndërtesa e IKMM-së, shtëpi tjera tradicionale në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjakovë dhe komuna tjera.

“Kemi iniciuar procedurën për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës si një nga projektet kapitale si dhe se shpejti fillojmë edhe Shenjëzimin e Trashëgimisë Kulturore në nivel vendi. Do të shtohen më tutje angazhimet në plotësimin e mëtutjeshëm te ekspozitës në Muzeun e Kosovës dhe funksionalizimin e plotë të kompleksit etnologjik “Emin Giku ” në Prishtinë”, u shpreh ajo duke siguruar mbështetjen institucionale për promovim dhe për t’i kushtuar kujdes mbrojtjes sidomos në parandalimin e aktivitete të paautorizuara dhe ndërmarrjen e masave ndaj keqpërdoruesve.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, tha se popujt evropianë i bashkon historia, kultura e trashëgimia.

“Përveç që është viti evropian, është në veçanti viti i trashëgimisë kulturore. Për të na kujtuar që ne popujt evropianë kemi gjëra që na ndajnë, por kemi edhe gjëra që na bashkojnë. Gjërat që na bashkojnë janë historia, kultura e trashëgimia”, tha ai ndër të tjera.

Ndërsa përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri, theksoi se diversiteti kulturor është baza e Bashkimit Evropian duke i dhënë një rol të veçantë trashëgimisë kulturore.

Të Rekomanduara