KosovaLive360

Se kur kemi të bëjmë me dhunën në familje, gruaja është viktima dhe burri dhunuesi, nuk është pohim i qëndrueshëm as në shoqërinë tonë.

Vetëm vitin e kaluar, gjithsej 259 meshkuj kosovarë kanë qenë viktima të dhunës në familje, sipas Policisë së Kosovës.

Si kryes të akteve të dhunës në familje ndaj meshkujve, Policia e Kosovës veçon prindërit, vëllezërit, axhallarët, por edhe bashkëshortet e tyre.

Ndërkohë që në Kosovë ka shumë organizata Joqeveritare e institucione që angazhohen dhe ngrisin zërin në mbrojtje të grave viktima të dhunës në familje, dhuna e ushtruar ndaj meshkujve sikur ka mbetur nën hije, e denoncuar por pa përkrahje të mjaftueshme.

Në Kosovë nuk ka asnjë organizatë të vetme joqeveritare që merret ekskluzivisht me mbrojtjen e të drejtave të burrave dhe me mbrojten e tyre nga dhuna në familje. Njëherësh, nuk ka as ndonjë strehimore për meshkujt që kanë qenë viktima të dhunës, me çka ata shpesh janë të shtyrë të jetojnë në një kulm me dhunuesit e tyre.

“Në kuadër të PK-së në nivelin qendror  dhe në nivelin lokal ekzistojnë zyrtarët policorë të cilët merren vetëm me raste të dhunës në familje dhe të njëjtit kanë trajnimet e nevojshme  për qasje të duhur dhe hetimin e rasteve të tilla. Veprimtaria e Policisë kundër kësaj dukurie negative në shoqëri është e përqendruar në parandalimin dhe luftimin e dhunës familjare dhe trajtimin, mbrojtjen dhe përkrahjen dhe strehimin e viktimave”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës.

Në ndërkohë, po të shikohet ligji dhe raportet e ndryshme për dhunën në familje, që është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut dhe mbetet pengesë e madhe në realizimin e barazisë, vërehet se ajo që raportohet më së shumti është dhuna ndaj grave dhe dënimet që parashihen për burrat.

Luljeta Domaniku, këshilltare e Lartë Ligjore në Institucionin e Avokatit të Popullit tregon se tek ta janë të regjistruara dhe të hetuara edhe raste të dhunës ndaj burrave, por numri i atyre rasteve është shumë i vogël, ndërsa ka pasur edhe zvarritje të procedurave gjyqësore në rastet që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave ose burrave.

 ‘’Dhuna është bazë e diskriminimit dhe gjithashtu vazhdon të jetë problem i madh i të gjitha komuniteteve në Kosovë. Avokati i Popullit shumë herë përmes raporteve të Institucionit të Avokatit të Popullit ka tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe në mënyrë të përshtashme nga autoritetet kompetente për rastet e dhunës.  Gjithmonë është i pajustifikueshëm mosveprimi apo dështimi  i institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimat e dhunës, gjithashtu edhe mosbashkëpunimi  i institucioneve”, thotë ajo.

Adelina Berisha nga Organizata Joqeveritare “Rrjeti i Grupit të Grave”, thotë se kjo organizatë e dënon dhunën në familje si të tillë, pa marrë parasysh se kush janë viktima.

“Ne e kemi për synim punën me gra duke qenë se gratë janë në të shumtën e rasteve viktima të dhunës në familje. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne i përjashtojmë burrat gjatë punës sonë. Në vitin 2015 kur RrGK realizoi hulumtimin ‘Mjaft më me arsyetime’, RrGK ka anketuar burrat dhe gratë për të parë se sa janë të prekur nga dhuna. Më të shpeshta janë rastet kur ushtrues i dhunës është babai, vëllau, kushëriri etj.”, thekson ajo.

Basri Kastrati, menaxher i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave rrëfen për masat që pasojnë rastet e dhunës në familje.

‘’Disa nga këto masa mund të lëshohen në ndonjërin nga urdhrat mbrojtës që janë tre: urdhri për mbrojtje, urdhri për mbrojtje emergjente që lëshohet nga gjykata, ose urdhri për mbrojtje emergjente të përkohshme, i cili lëshohet nga policia gjatë kohës së vikendit dhe festive zyrtare“, thekson ai.

Për veprat penale me lëndime trupore dënimet mund të jenë nga 3 muaj e deri në 10 vite.

Sipas psikologes, Dritë Demelezi Sejdiu hulumtimet tregojnë se nuk ka dallime të theksuara në mes femrave dhe meshkujve të cilët përjetojnë dhunë.

“Edhe meshkujt përjetojnë pothuajse të njëjtat pasoja psikologjike duke reaguar me stres, mungesë të vetërespektit dhe vetëbesimit; mund të ndiejnë ankth ose depresion për shkak të konflikteve të vazhdueshme me partneren, konfuzion…. Dhe ndihen të kufizuar në aktivitetet e tyre të përditshme, në raport me veten dhe rrethin social, pra edhe femrat edhe meshkujt ndihen të kontrolluar nga partneri që ushtron dhunë”, thekson Sejdiu.

Në hulumtimin e vitit 2015 “Mjaft më me arsyetime” të “Rrjetit të Grupit të Grave”, qytetarët kishin veçuar disa prej shkaqeve që çojnë në ushtrimin e dhunës në familje: gjendja e rëndë ekonomike, papunësia, mungesa a arsimimit, martesa kundër vullnetit si dhe traumat e luftës. Një numër i të anketuarve, ndërkaq konsiderojnë se dhuna paraqitet si pasojë e martesave të hershme, kultura dhe tradita, por edhe nga realitetit i “familjeve të mëdha që jetojnë së bashku në hapësira të pamjaftueshme”.

Arbresha Berisha

 

Të Rekomanduara