KosovaLive360

Njëzet e pesë punëtoreve të shtatë konvikteve të Universitetit të Prishtinës, që nga viti 2011 s’po iu paguhen kontributet pensionale nga kompanitë e pastrimit.

Punëtorja Remzije Xhumshiti tregon se është duke siguruar dokumentet e nevojshme për të bërë padi ndaj tri kompanive të kontraktuara nga UP cilat s’kanë paguar kontributet pensionale: ”Omi Impex”, ”Higjiena” dhe ”Beni”.

“Më me qef iu kisha dhënë një rrogë, sesa të mos më paguhet trusti,” shprehet pastruesja, duke përfyturuar pasojat e mundshme të së ardhmes, kur të arrijë koha e pensionimit.

Ajo punon prej orës 07:00 të mëngjesit deri në ora 14:00, madje shton se kur është e nevojshme vazhdon punën edhe pas orarit, me qëllim që pastrimi i konvikteve të bëhet në nivel të duhur.

“Unë duhet të kujdesem për familjen time dhe kjo është vështirë të arrihet me një rrogë prej 230 eurosh. Burri pa punë, djali pa punë, vjehrra dhe unë sëmurë nga tensioni… Është një gjendje vështirë e përballueshme”, thotë Xhumshiti.

Sipas një llogarie, kolegia e saj, Ibadete Mahmuti thotë se prej vitit 2011 mund të mos jenë paguar mbi 55 mijë euro në emër të kontributeve për të gjitha punëtoret e pastrimit në konvikte.

Mahmuti aktualisht, me të ardhurat nga puna e saj, përkujdeset për vjehrrën e saj 80-vjeçare, burrin, i cili është veteran lufte sikur edhe për mirëqenien dhe shkollimin e dy fëmijëve të saj.

“Plus udhëtoj prej Podujevës çdo ditë, 38 km larg, e me 230 euro rrogë, ti llogarit tash se si ia dalim”, thotë ajo.

Kompania aktuale “Beni”, e kontraktuar që nga muaji i katërt i këtij viti, nuk ka bërë pagesën e tre muajve të verës.

Arben Kuçi, drejtor i kompanisë së pastrimit “Beni” e cila aktualisht ka kontratë me dy bashkëbisedueset e KosovaLive thotë se në fund punëtorëve gjithsesi do t’iu kryhen të gjitha obligimet.

“Kur nuk kemi mundësinë të paguajmë në afatin e caktuar në kontratë, ne raportojmë këtë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe mandej sapo të na vijnë të hollat, paguhet trusti pensional i punëtorëve“, thotë Kuçi.

Ai pranoi se në raste të tilla dënimet që shqiptohen për kompaninë janë më të vogla.

Azem Ejupi, avokat nga Prishtina thotë se Ligji i Punës parasheh se personi fizik ose juridik i cili nuk  paguan kontributin në trustin pensional mund të denohet prej 100 deri në 10,000 euro.

Por, pastrueset në konviktet studentore kanë pasur problem për mospagimin e kontributeve pensionale edhe kur ishin të kontraktuara dy kompanitë e pastrimit “Omi Impex” dhe “Higjiena”.

Këtë e dëshmojnë edhe dokumentet e personit të dëmtuar, të cilat ka siguruar KosovaLive, për të cilën “Omi Impex” gjatë tri vite kontratë nuk ka paguar për 16 muaj.

Islam Sallahu, drejtor i kësaj kompanie tha për KosovaLive se kompania e tij nuk është më përgjegjëse për mirëmbajtjen e konvikteve, prandaj nuk ka pse të flas për këtë.

Edhe drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta thotë se kanë pasur problem me kompaninë “Omi Impex”, sepse nuk ka paguar trustin pensional për punëtorët, por ai shtoi se para përfundimit të kontratës për tre vite, kjo kompani ka përfunduar të gjitha obligimet për të gjithë punëtorët. Megjithatë dokumentet e siguruara nga KosovaLive flasin ndryshe – obligimet nuk janë përmbushur.

Pastrueset në konviktet studentore kanë pasur problem edhe me kompaninë e radhës, “Higjiena “, e cila gjatë tri viteve u ka paguar punëtorëve trustin pensional për vetëm tre muaj.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante dhe skllavëruese,” thotë Isuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, dhe në këtë kontekst ka përmendur edhe 20 raste  të vdekjes në vendet e punës, prej të cilave veç katër llogariten të jenë vdekje të natyrshme.

“Prej më se 300,000 të punësuarve në sektorin privat rreth 50% janë pa kontrata pune, prej tyre 24% janë gra dhe vajza, pra rreth 50,000 punëmarrëse,” tha Azemi.  

Azemi thotë se çdo vit, 50 milionë euro humbin nga mospagesa e kontributeve pensionale, sepse prej 50% të punësuarve me kontrata pune, 20% të tyre nuk u paguhen kontributet pensionale.

Ai shtoi se ka pasur takime edhe me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për rregullimin e statusit të këtyre punëtorëve, por deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive.

Sipas Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, obligimet e punëdhënësit dhe të punonjësit fillojnë në ditën e parë të punësimit dhe përfundojnë kur punonjësi arrin moshën e pensionit.

Anita Musliu

 

Të Rekomanduara