KosovaLive360

Në hapësirën e Muzeut të Kosovës, u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas vlerësimit të Jurisë Profesionale, Adem Bungurit, iu nda Çmimi për Veprimtari Jetësore “Dea Dardanicae” dhe shpërblimin në vlerë financiare prej 5000 euro.

Çmimin Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi” e mori Fatmir Peja – post mortem në një vlerë prej 2500. Çmimi Vjetor për Vepër Shkencore “Zef Mirdita”, iu nda Florina Jerliut dhe Çmimi Vjetor për Menaxhim Instutucional “Muhamed Shukriu”, iu nda Sabit Sylës. Të tri çmimet kanë shpërblim financiar në vlerë nga 2500 euro secili.

Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi e konsideroi se ky aktivitet është në kuadër të mbështetjes së ministrisë për fushën e trashëgimisë kulturore. Ai tha se MKRS do të gjejë rrugë dhe alternativa tjera për të mbështetur tutje të gjitha aktivitete në fushën e Trashëgimisë Kulturore. Ministri e vlerësoi gjithashtu edhe punën e jurisë.

“Nuk kam dyshim që juria profesionale ka vendosur drejt. Çmimet e tilla jepen për të vlerësuar punën e juaj dhe jam mirënjohës për punën tuaj. Ministria do të gjejë rrugë të reja për të qenë me ju. Në vazhdimësi do të rrugëtojmë bashkë për ta ruajtur trashëgiminë tonë të çmuar kulturore” u shpreh ministri Gashi.

Ndërkaq laureati nga Shqipëria, Adem Bunguri u shpreh se është kënaqësi e veçantë që po nderohet me këtë çmim e veçmas që këto çmime po ndahen në vitin kur Kosova mbush dhjetë vite shtetësi.

Kosova për ne andej kufirit ka qenë një mollë e ndaluar. Ajo që dua të them unë pa e zgjatur është se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike që është një burim dhe një arkiv e jashtëzakonisht e pasur që na jepet në dorë për te evidentuar ndonjëherë historinë e deformuar antike të Kosovës”, ka thënë Bunguri.

Juria profesionale ka qenë në përbërje të Nuri Bexheti – historian, Shafi Gashi – arkeolog, Arben Hajdari – arkeolog, Mimoza Dugolli – arkitekte dhe Vlorë Fetaj-Berisha – studiuese e folklorit. Në emër të Jurisë foli Nuri Bexheti i cili tregoi për arsyetimet dhe vlerësimet për punën e të nominuarve për këto çmime. Ai konkretisht tregoi se Bunguri është njëri nga klasikët më të mëdhenj të arkeologjisë.

“Shquhet me tezën e tij ku argumenton me këmbëngulësi për lidhjen e botës dardane me atë ilire”, u shpreh Bexheti.

Ndërkaq, laureatët tjerë u shprehën të nderuar që kanë marrë këtë vlerësim institucional. Do të jetë një motivim për angazhime edhe më të mëdha, e kanë vlerësuar laureatët.

Të Rekomanduara