KosovaLive360

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, gjatë një vizite në Klubin e Futbollit Prishtina, ka garantuar fuqizimin e sportit në kryeqytet dhe ka thënë se pas fitores më 19 nëntor, sportistët e Prishtinës nuk do të kenë më nevojë të stërviten në komunat tjera, por do t’i kthejmë në Prishtinë, aty ku e kanë vendin.

“Në katër vitet e fundit sporti dhe kultura u degraduan. Sportistët vetë janë dëshmitarë që klubet e Prishtinës stërvitjet duhet t’i mbajnë jashtë Prishtinës. E jona është t’iu garantojmë klubeve të Prishtinës që do të kenë përkrahje financiare dhe përkrahje në infrastrukturë”, ka thënë Abrashi, i cili në këtë vizitë shoqërohej nga partneri i koalicionit, Arbër Vllahiu i AAK-së.

“Jo vetëm që nuk është ndërtuar asgjë e re në fushën e sportit në Prishtinë për katër vite, por është degraduar sporti në mungesë të mirëmbajtjes së kapaciteteve të ndërtuara më parë. Komuna e Prishtinës ka mjete për të përkrahur sportin, por në katër vitet e fundit nuk ka pasur vullnet për të përkrahur këtë fushë”, tha Abrashi.

Sipas tij, sporti dhe kultura në katër vitet e fundit nuk janë vlerësuar në Prishtinë dhe për pasojë sportistët dhe artistët kulminantë po e braktisin kryeqytetin.

Ai tha se për të nxitur të rinjtë që të merren me sport, po mendojmë që t’i funksionalizojmë ligat shkollore, e kemi bërë edhe buxhetimin e këtij plani, dhe po mendojmë që t’i rrisim subvencionet për klubet e Prishtinës.

Abrashi tha se gjatë qeverisjes sonë do të ketë investim në fushat sportive, por jemi duke planifikuar që sportin ta ndajmë në tri nivele, atë shkollor duke i formuar ligat shkollore, deri tek ai profesionist.

Kryetari i KF Prishtina, Remzi Ejupi u shpreh se është për keqardhje se si Komuna e Prishtinës e ka injoruar klubin më të madh të Kosovës.

Ai ka thënë se KF Prishtina meriton përkrahje më të madhe, sepse nuk mundemi që t’ia ndërrojmë klubit ngjyrat, pasi që Prishtina është bardh e kaltër, dhe mendoj që duhet sa më pak ta politizojmë sportin dhe t’i kushtojmë më shumë rëndësi.

Të Rekomanduara